Sabri Hamiti publikon monografi për Naim Frashërin

16 Tetor, 2020 - 2:31 pm

Autori Sabri Hamiti ka botuar monografinë për njërin nga emrat kryesorë të Rilindjes, Naim Frashërin në 120 vjetorin e ndarjes së tij nga kjo botë, shkruan KultPlus.

Vepra “Naim Frashëri” shpalos jetën dhe veprën e atdhetarit e shkrimtarit shqiptar dhe do t’iu shërbej studiuesve dhe kritikëve letrarë si një vepër referuese për një kohë të gjatë.

“Në librin 170 faqesh thuret profili i shkrimtarit të dashur e të adhuruar të letërsisë shqipe, i cili kishte arritur statusin e pakontestueshëm të poetit kombëtar, por që për vite kishte qenë edhe i censuruar nga diktatura”, thuhet në njoftimin e Sabri Hamitit për librin.

Monografia e cila nis me “Poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtëruar me pamje të dashurisë”, vazhdon duke theksuar se anipse ekziston një ndarje kohore të autorit Hamiti dhe të Frashërit, gjuha e poezisë së tij ka qenë dhe mbetet frymëzim.

Në anën tjetër, studiuesja e letërsisë Persida Asllani e ka vlerësuar veprën si “Naim jete” sepse ajo është prodhim i një leximi të gjatë bashkë me përvojat jetësore e letrare, duke u gërshetuar bashkë me metodologjitë studimore e kritike.

“Sepse këtu synon të na kthejë ky libër i autorit, te zanafilla e Naimit, te gjuha e tij e zjarrtë, aty ku më parë Poradeci pat ndjerë poetikisht shenjtërinë e kombit, mendimin e frymëzuar, pasionet e jetës, poezinë e mirëfilltë dhe hyjninë”, ka vlerësuar Asllani. /KultPlus.com

Të ngjajshme