27 Shkurt, 2019 - 7:30 pm
Në kujtimet e saj Sadije Agolli, shkruan se si mund ta kishte përjetuar Dritëro Agolli vdekjen e saj. Gruaja që e deshi aq shumë poetin, e ka hedhur në letër gjithë mungesën e tij gjatë dy viteve. Në një prej këtyre kujtimeve ajo përfytyron shkrimtarin kur të mësonte lajmin e ikjes së saj nga kjo botë.
“Shqiponline” po boton më poshtë një pasazh nga këto kujtime: “Ne i dhamë njëri-tjetrit shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, mundime, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lotë, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë, ndarje dhe afrime njësh, pra i dhamë njëri-tjetrit çdo gjë. Unë pata privilegjin, që u rrita qysh në moshën 22-vjeçare me Dritëroin, që u maturova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madh që atij ia pasurova Muzën për të shkruar një libër me 238 faqe poezi dashurie, përveç personazheve në romane, tregime, drama, komedi… E ndjej veten të plotësuar në jetën time me Atë, pasi arritëm të kuptoheshim me një lëvizje dore, gishti, këmbe, syri, kollitjeje… … Secili lë pas dhimbjen, një plagë të hapur, që ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, mbresat, nostalgjitë, me vdekjen asnjëri nuk mësohet. Edhe unë nuk po mësohem dot.
Nuk kam dëshirë të dal, të pres dhe të përcjell njerëz, e ndiej veten më mirë në vetminë time, të hedh shënime, të shfletoj dosjen e letërkëmbimit, librin me poezi “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe çdo gjë që ka lidhje me Dritëroin… …. Mendoj, si do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time. E di, se megjithëse i dobët fizikisht do të shkruante poezi të bukura për jetën dhe vdekjen, për lindjen dhe ngrysjen e ditës, për zogjtë dhe lulet, për fluturat. Do të shkruante, megjithëse gishtërinjtë i kishte të shtrembëruar nga stërmundimi i një jete të tërë”.