27 Mars, 2025 - 7:01 pm
Shkrimtari britaniko-amerikan, Salman Rushdie do të publikojë një përmbledhje me tregime të shkurtra në nëntor, vepra e tij e parë artistike që nga sulmi me thikë që i kushtoi atij dëmtimin e syrit të djathtë, në vitin 2022, njoftoi sot botuesi i tij.
Libri, i titulluar ”The Eleventh Hour” (“Ora e njëmbëdhjetë”), është një përmbledhje e pesë tregimeve dhe novelave të vendosura në tre vendet ku ai ka jetuar: vendlindja e tij Indi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku ai tani jeton, sipas ”Penguin Random House”.
”Është një koleksion i tregimeve të shkurtra prekëse dhe mjeshtërore që na çon nëpër botë, nga lagjet e Bombeit në universitetet prestigjioze angleze dhe është planifikuar të dalë në treg më 4 nëntor”, tha botuesi.
”Tri tregimet e shkurtra në këtë vëllim, të gjitha të shkruara në 12 muajt e fundit, eksplorojnë tema dhe vende që më pushtojnë mendjen – vdekshmëria, Bombei, lamtumira, Anglia (veçanërisht Kembrixh), zemërimi, paqja, Amerika”, shpjegon autori 77-vjeçar në deklaratën për shtyp.
”Jam i kënaqur që këto histori, të cilat janë kaq të ndryshme nga njëra-tjetra në mjedisin, narrativën dhe teknikën e tyre, megjithatë arrijnë të dialogojnë me njëra-tjetrën dhe me dy historitë që shërbejnë si prolog dhe epilog për këtë treshe”, shtoi Salman Rushdie.
Autori i “Vargjet Satanike”, një vepër që i dha atij një fatwa nga Irani më shumë se 30 vjet më parë, duke e konsideruar librin blasfemues, u sulmua më 12 gusht 2022, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, i goditur me thikë nga një libano-amerikan i dënuar në shkurt për tentativë vrasjeje./KultPlus.com