Sartri: Ferri i vërtetë është te tjetri

9 Janar, 2020 - 10:30 pm

Shkruan: Bujar Meholli

Në dramën ‘Me dyer të mbyllura’ do të përpiqem të analizojë dramatikën si kategori zhanrore që shpreh determinimin politik-kulturor në raport me shoqërinë, familjen, grupin dhe individin. Garseni, Inesi e Estela janë tri karaktere që takohen në ferr pasi janë sjellur nga një shërbëtor misterioz dhe janë vendosur në një dhomë të modeluar sipas stilit francez të kohës, që në fakt del të jetë ferri social, në të cilin këto tri karaktere përpëliten gjatë gjithë kohës duke pritur lloj-lloj torturash e ndëshkimesh të përjetshme, pasi kishin kryer krime nga më të ndryshmet.

Garseni këmbëngul në pafajësinë e tij, thotë se qe ekzekutuar për shkak se ishte pacifist, kurse Estela që në dramë shfaqet si karakter tekanjoz gjithashtu mohon kategorikisht të ketë kryer ndonjë faj për sjelljen e saj në atë ambient i cili është përshkrim i jetës së përtejme. Ajo mendon të jetë bërë ndonjë gabim gjatë procesit të dënimit me vdekje. Ndërsa Inesi, karakteri i së cilës dallon nga dy të parët, u kërkon që t’i ndalin gënjeshtrat dhe të pranojnë dënimin tashmë të caktuar për krimet e bëra. Situatat që pasojnë janë çdoherë më të vështira për karakteret që dalin me probleme psikike, të ndodhur në ferrin, të cilit përpiqen t’i ikin vazhdimisht por nuk ia arrijnë.

Refuzimi i Inesit për të besuar se ata të dy kanë përfunduar aty rastësisht vazhdon, teksa pas përpëlitjeve që bëjnë me doemos duhet t’i binden fatit të përcaktuar duke e pranuar si të tillë. Dialogët që kanë me njëri-tjetrin janë ku më të vrazhdë ku më të lehtë, herë-herë mbesin pa forcë për të komunikuar të zhytur në mjerim të thellë. Megjithatë, pas një diskutimi pranojnë krimet e tyre; Garseni kishte keqtrajtuar gruan e tij, Inesi kishte joshur gruan e kushëririt të saj, derisa Estela pas një lidhjeje kish mbytur fëmijën duke e shtyrë babain e fëmijës të kryejë vetëvrasje. Estela, një grua me sharm nga shoqëria e lartë, interesohet për pamjen e saj, gjersa Inesi don ta joshë atë duke i ofruar ‘pasqyrë’ por nuk ia arrin qëllimit. Garseni që qëndron indiferent ndaj grave, rrjedhimisht nuk tërhiqet nga asnjëra prej tyre por iu sugjeron ta lënë njëri-tjetrin të qetë në heshtje.

Karakteri i Inesit është shumë interesant në dramë. Ajo ka fuqi mendimi dhe është e zonja të manipulojë me mendimet e Estelës dhe Garsenit gjatë gjithë kohës. Inesi shfaqet si një lezbike që kish dalë kundër bashkëshortit të saj dhe më vonë qe bërë vrasëse, por që në dramë del njëfarë ‘kriminelje e ndershme’ pasi ajo sinqerisht ia pranon vetes se është person mizor. Joshja që Estela i bën Garsenit e shtyen Inesin në çmenduri, gjegjësisht në kulminacionin e dramaticitetit. Me t’u hapur dera në mënyrë të pashpjegueshme, asnjëri prej karaktereve nuk është në gjendje të ikë nga aty. Garseni dëshiron të fitojë besimin e Inesit, e cila e quan paraprakisht frikacak dhe të mjerë, derisa ai arrin përfundimin se në vend të ndëshkimeve apo torturave, ‘ferri i vërtetë është tek tjetri’. Inesi ka nën vëzhgim, çdo lëvizje të tyre derisa Estela, e zemruar, mundohet ta vras më vonë Inesin, kështu ta largojë nga loja dhe të mbesë vetëm me Garsenin por orvatja e saj rezulton e kotë, Inesi veçse ishte e vdekur.

Karakteret janë vazhdimisht në luftë mentale, emocionale dhe fizike. Në tekstin e kësaj drame del botëkuptimi ekzistencialist që i prinë esencës dhe mundësisë së zgjedhjes në situata ekzistencialiste ose-ose. Autori përjashton ferrin religjioz, duke e zëvendësuar me ferrin social, pra tokësor. Ekzistencializmi, (filozofi së cilës i takon autori) trajton problemin e qenies njerëzore duke mos dhënë përgjegje as ofruar ndonjë zgjedhje. Njeriut para se t’i përcaktohet fati ai ekziston si njeri! Atmosfera sartriane na çon kah konkluzioni se njeriu ekziston, dhe faktikisht zbulohet që nuk është por thjesht ekizston.

Ky tekst dramatik tërthorazi na flet për lirinë e kufizuar të qenies njerëzore dhe pafuqinë për të dalur nga ajo hapësirë e mbyllur drejt lirisë! Një lirie fillimisht vetjake, pastaj shoqërore. Vendosja e karaktereve në ferr rezulton si simbolikë, për të treguar se në fakt ferri i vërtetë janë njerëzit që veprojnë mbi tokë. ‘Me dyer të mbyllura’ mbetet ndër dramat më tipike, në të cilën shfaqen idetë filozofike ekzistencialiste sartriane. /KultPlus.com

Të ngjajshme