Sartri, filozofi që refuzoi çmimin “Nobel” me arsyetimin se “nuk donte të njihej vetëm si nobelist”

15 Prill, 2020 - 1:00 pm

Shkruan: Bujar Meholli

Zhan Pol-Sartri është njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të shekullit 20, i cili pati ndikim mjaft të madh tek artistët tjerë me filozofinë e tij ekzistencialiste, themeltar i së cilës ishte vet ai.

Filozofia ekzistencialiste e Sartrit si lëvizje nisi pas Luftës së Dytë Botërore, ku ai propozon që individi të marrë përgjegjësi për vete, dhe të jetë ai që e bën zgjedhjen për veten.

Si bazament të kësaj filozofie mund të themi që kemi pyetjet “kush jam?”, “për çfarë jam?” dhe “çfarë duhet të bëj?”.

Situata kaotike e individit manifestohet me një mori situatash në të cilat ai zhytet derisa vjen momenti kur ndalet dhe duhet ta bëjë zgjedhjen e duhur. Pra, ekzistencializmi pretendon t’i rrënojë zakonet e traditat, ai bile bie në kundërshtim me idealizmin dhe realizmin.

Zhan Pol-Sartri ka lënë disa vepra interesante ku gërshetohet filozofia dhe letërsia e tij. Ai, veç një sërë librash estetikë-filozofik, shkroi romanin e famshëm “Neveria” si dhe disa novela, mes së cilave veçohet “Muri”. Filozofinë e tij ai e shtriu edhe në dramaturgji, shkroi dy dramat e famshme “Me dyer të mbyllura” dhe “Mizat”.

Do të ndalemi pak tek drama e famshme “Me dyer të mbyllura”.

Drama “Me dyer të mbyllura” si kategori zhanrore shpreh determinimin politik-kulturor në raport me shoqërinë, familjen, grupin e individin. Atmosfera sartriane që krijohet na dërgon kah konkluzioni se njeriu ekziston dhe faktikisht zbulohet se ai nuk është, por thjesht ekziston.

Ky tekst dramatik tërthorazi na flet për lirinë e kufizuar të qenies njerëzore dhe pafuqinë për të dalë nga hapësira e mbyllur dhe për të rendur drejt lirisë. Një lirie së pari vetjake, pastaj shoqërore. Vendosja e tri karaktereve në ferr (jo në ferrin religjioz!) rezulton si simbolikë për të treguar se ferri i vërtetë janë njerëzit që veprojnë mbi tokë.

Andaj, themi se kjo dramë është ndër më tipiket, ku Sartri shfaq idetë e tij ekzistencialiste.

Edhe novelat e përmbledhura nën titullin “Muri” janë jehonë e ideve filozofike për raportet mes individit dhe shoqërisë, ku liria nuk është garanci për jetën e tij. Sartri krijon veprën mbi strukturat që bartin raportet mes individit dhe tjetrit.

Akademia Suedeze vendosi që t’i ndajë çmimin “Nobel” për letërsi Sartrit, “për krijimtarinë e tij të pasur me ide dhe të mbushur me frymën e lirisë drejt kërkimit të së vërtetës, si dhe për ndikimin e madh që ajo ka pasur në epokën tonë”. Por Sartri nuk ngurroi që ta refuzoi, derisa më vonë e dha edhe arsyetimin e tij.

Ishte 22 tetori i vitit 1964 kur Akademia Suedeze në ceremoninë e ndarjes së çmimit prestigjioz në fushën e letrave, thirri emrin e Zhan Pol-Sartrit si laureat. Pra, pas Kamysë që mori “Nobelin” vite më parë, i erdhi radha një filozofi tjetër të madh që ta fitojë.

Nuk u çudit askush me këtë ndarje çmimi për Sartrin, të gjithë u entuziazmuan, shpërtheu shtypi, nuk pati kurrfarë befasie derisa vetë ai doli me një letër që i nisi Akademisë Suedeze, anëtarët e së cilës i falënderonte por i duhej ta refuzonte çmimin prestigjioz. Kjo i befasoi të gjithë.

Shtypi shpërtheu përsëri, këtë herë me titujt me shkronja të mëdha në ballinat e gazetave: “Zhan Pol-Sartri fiton çmimin “Nobel”, por e refuzon atë.  

Në një prononcim për shtypin suedez, Sartri tha: “gjithmonë i kam refuzuar nderimet zyrtare, përfshirë edhe Legjionin e Nderit të Francës”.

“Një shkrimtar që përvetëson pozicione politike, shoqërore apo letrare duhet të veprojë vetëm me mjetet që janë të tijat – pra me fjalën e shkruar”, potencon ai.

Andaj, Sartri refuzoi të pranonte çfarëdo nderimi i cili do ta identifikonte si individualist ose që do ta mbivlerësonte vlerën e tij. Dihet se Zhan Pol-Sartri ishte përkrahës i socializmit, ishte marksist, dhe si i tillë ai besonte tek shoqëria e lirë, pra te ajo shoqëri në të cilën qytetarët e saj do të jetonin pa klasa dhe pronat e tyre private do të shfuqizoheshin.

Zhan Pol-Sartri ishte padyshim figura kryesore e kohës së tij në teorinë e ekzistencializmit dhe marksizmit. Mendojmë se ky formim dhe kjo ideologji që ai ndiqte ishin arsye e madhe pse ai i refuzonte nderimet, pasi që në thelb Sartri nuk pajtohej me pozicionet hierarkike.

Në letrën e tij dërguar Akademisë Suedeze, Sartri tregon publikisht se zyrtarisht e refuzon nderimin me çmimin “Nobel” dhe vlerën monetare të tij, derisa falënderon anëtarët e komitetit.

“Nëse e shkruaj Zhan Pol-Sartri nuk është e njëjta gjë sikur ta firmosja veten me Zhan Pol-Sartri, fitues i çmimit ‘Nobel’”, shkruan veç tjerash ai.

Duke mos qenë fare i tërhequr nga shuma e parave, ai shprehet: “Shkrimtari që pranon një nder të këtij lloji merr me vete edhe institucionin nga i cili është nderuar, prandaj ai nuk duhet të shndërrohet në institucion edhe në qoftë se ai është mjaft i nderuar si ky në fjalë”.

“Ky qëndrim – vazhdon ai, është krejtësisht i imi dhe nuk përmban kurrfarë kritike ndaj atyre që tashmë e kanë pranuar këtë çmim. Kam shumë respekt dhe i admiroj disa nga laureatët e çmimit “Nobel” të cilët edhe kam nderin që t’i njoh”. /KultPlus.com

Bujar Meholli

Të ngjajshme