SBASHK-u kërkon që mësimdhënësve t’u paguhen mëditjet edhe gjatë ekskursioneve

25 Tetor, 2017 - 2:08 pm

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se do ta ngritë çështjen që gjithë ata që angazhohen ditëve të vikendit, jashtë javës 5 ditëshe të punës, të kompensohen sipas Ligjit të punës për angazhim në ditët e vikendit dhe festave.

Sindikalistët e arsimit kërkojnë që tani e tutje mësimdhënësve të angazhuar nga shkollat e mesme në ekskursione me nxënës jashtë vendit t’u paguhen mëditje, ashtu si i marrin gjithë zyrtarët lokalë e qendror më të shkuar për detyra a vizita jashtë vendit tonë.

“Edhe trajnimet për kurikulën e re dhe aktivitetet tjera të DKA-ve e MASHT-it në vend të ditëve të vikendit, kur mësimdhënësi duhet t’i përkushtohet obligimeve familjare dhe pushimit të nevojshëm pas punës një javore ashtu siç e precizon edhe ligji i punës dhe ligji i arsimit parauniversitar, le të organizohen ditëve të punës, qoftë duke përpiluar orarin mësimor të mësimdhënësve që 20 orët mësimore javore t’i realizojnë gjatë katër ditëve, që një ditë e 5 ditëve të punës t’u mbetet e lirë për trajnime”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u konsideron se ndalimi i çdo aktiviteti në ditë pune, qoftë ajo konferencë, tubim informues, aktivitet sindikal, trajnim për kurikulën e re a ndonjë veprimtari tjetër që lidhet me arsimin e me mësimdhënësit me urdhër të prerë dhe deklarimi se të gjitha këto duhet zhvilluar në ditët e vikendit e në emër të mos humbjes së orëve mësimore, është qasje e gabuar që pamundëson çdo marrëveshje e arritje të kompromisit për një zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët e pa e cenuar procesin mësimor. / KultPlus.com

Të ngjajshme