24 Shtator, 2018 - 3:10 pm
Gjatë vjeshtës së hershme të këtij viti do ta nisë edicionin e tij të parë Festivali Ndërkombëtar i Prozës “FICTION FEST”. Duke qenë se i dedikohet vetëm prozës artistike dhe jo formave të tjera të shkrimit letrar, ky është festivali i parë i kësaj natyre në Kosovë.
Në këtë festival do të marrin pjesë emra të njohur e të respektuar të letërsisë shqipe dhe asaj të përbotshme. Në edicionin e parë do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre këta shkrimtarë: Rexhep Qosja, Donika Dabishevci, Srdjan Tesin, Virion Graçi, Stefan Boshkoviq dhe Dimitar Samardjev.
“FICTION FEST” do t’i ketë dy net dhe do të mbahet në Prishtinë me datat 04 dhe 05 tetor, 2018, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në natën e parë do të lexojnë këta autorë: Srdjan Tesin, Donika Dabishevci, Stefan Boskovic, Virion Graçi dhe Dimitar Samardjev.
Në natën e dytë do të lexohen fragmente nga romanet e shkrimtarit të njohur, Rexhep Qosja. Pas leximit të fragmenteve nga romanet e tij, që do ta bëjnë aktorët profesionistë të vendit tonë, me shkrimtarin Rexhep Qosja do të ketë një orë diskutimi lidhur me prozën e tij dhe artin e tij të shkrimit letrar.
Koordinatore e Festivalit Ndërkombëtar të Prozës “FICTION FEST” është Saranda Buzhala, kritike letrare dhe asistente e lëndëve të letërsisë shqipe, e angazhuar në Universitetin e Prizrenit./ KultPlus.com