26 Prill, 2022 - 11:50 am
Studimi për imagjinatën krijuese, artistike të Gjergj Fishtës, ka për qëllim t’i ofrojë lexuesit e studiuesit të veprave të këtij krijuesi të madh, edhe këtë segment të krijimtarisë së tij, sepse, me sa di unë, ka pak shkrime e studime në letrat tona që trajtojnë imagjinatën e krijuesve, ato kreativet, të dobishmet, të domosdoshmet, të cilat janë vënë në funksion të idesë për krijimtari të gjithanshme, të dobishme, kurrsesi si qëllim për vetvete.
Duhet pasur parasysh edhe faktin se krijimtaria e Gjergj Fishtës tashmë i përket epokës së tij, shekullit të kaluar dhe ajo kundrohet në këtë aspekt, në kohën e hapësirën e tij, kjo nuk do të thotë të pushojnë gjurmimet e studimet për jetën dhe veprën e tij, sepse Fishta mbi të gjitha ishte krijues erudit, meqë për kohën e tij dispononte mendjen e eruditit, të gjeniut shqiptar të kohës.
Diapazoni mendor, krijues, i Gjergj Fishtës shtrihet gjerë e gjatë në historinë e së kaluarës shqiptare dhe ballkanike përgjithësisht, duke veçuar ngjarjet me rëndësi të së kaluarës dhe duke ndalur interesimin në historinë shqiptare të shekujve 19-20-të, në rajonin e Malësisë së Madhe dhe Shkodrën si epiqendër e botës shqiptare, qyteti i Mbretëreshës Teutë dhe i Shqipërisë veriore, i shtrirë në pashallëkun e kohës së Turqisë, në kohën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës dhe në kohën kur shqiptarët edhe pse nën flamurin e Perandorisë jetonin në katër vilajete të Shqipërisë, të “Arnautistanit”.
Gjergj Fishta edhe pse klerik me profesion, njohës i fesë krishtere dhe i feve përgjithësisht, njohës fenomenal i botës shqiptare, turke, sllave lindore dhe krishtere perëndimore, ai mbi të gjitha mbeti një shqiptar i madh, një ideolog i shqiptarisë, një bard i vërtetë i kombit në krijimtari dhe në të gjitha fushat ku veproi e punoi.
Në këtë studim për Gjergj Fishtën, fokus i interesimit është imagjinata krijuese e tij, diapazoni i vrojtimit autentik në ngjarjet që i ka përshkruar, veçmas në “Lahutën e Malësisë”, sikur janë: intuita, pajisja me njohuri dhe aftësia në përshkrimin e realitetit faktik e dokumentar, duke e pasuruar me spektrin krijues imagjinar, artistik, jo duke emituar autorët klasikë, por duke vjelë përvojat e tyre, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë përgjithësisht krijuesit e mëdhenj. ( Ahmet Qeriqi) / KultPlus.com