21 Maj, 2018 - 6:00 pm
Gjon Keka do të prezantohet me librin më të ri “Arbëria përballë renegatëve”, ku autori trajton çështje si të identitet, lashtësisë, pastaj mohuesve dhe armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të kombit shqiptar.
Këto dhe shumë tema tjera serioze janë trajtuar brenda librit në fjalë, libër ky që ka si qëllim mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit evropian të shqiptarëve përballë mbetjeve, mohuesve dhe renegatëve.
“Që arbënorët kanë prejardhje ilire, tanimë kjo është jo vetëm teori, por edhe realitet historik. Shumë autorë kanë ndihmuar që ky realitet të zbardhet deri në fund. Realiteti i prejardhjes së arbënorëve nga ilirët, respektivisht shqiptarëve, e ndihmon jo vetëm gadishullin ilirik, por edhe kontinentin evropian të njohë të kaluarën e tij, themelet e tij dhe rrënjët e civilizimit të tij”, thuhet mes të tjerash mbi këtë libër.
Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti, kanë vend të veçantë në këtë libër, ku vlerësohet se kombin shqiptar askush nuk do ta njihte, po të mos i kishim këto dy figura të mëdha dhe të pavdekshme të kombit tonë. “Janë pikërisht këto dy figura që bota i njeh dhe na i hap dyert me respekt të lartë, për të qenë pjesë e civilizimit të saj, e dinamikës së përbashkët të jetës në bashkësi dhe e vlerave humane, universale dhe qytetëruese “, thuhet më pas mbi përbajtjen e librit./KultPlus.com