3 Shkurt, 2024 - 9:45 pm
“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” po promovohet edhe në Tiranë një ditë pasi të promovohet në Prishtinë, te Qendra “Sotir Kolea” Biblioteka e vjetër (përballë parlamentit).
“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” është një libër me ese i Primo Levi-t, shkruar më 1986, një vit para se ai t’i jepte fund jetës së tij.
Në këto ese, Levi analizon gjithë universin e kampeve të përqendrimit, duke u nisur nga përvoja e tij personale si i burgosur në Auschwitz, në kampin nazist të shfarosjes. Më pas e zgjeron vështrimin në përvojat e ngjashme të historisë së afërme, mes të cilëve edhe mbi gulagët sovjetikë.
Ndonëse ka përjetuar gjithçka në vetë të parë, ai rrëfen me kthjelltësi dhe ftohtësi mekanizmat që shpien në krijimin e “zonave gri” të pushtetit mes dhunuesve dhe të dhunuarve, korrupsionin ekonomik, zvetënimin moral të njerëzve që jetojnë në këto sisteme kampesh përqendrimi, qëllimet dhe shfrytëzimet politike dhe shoqërore të këtyre sistemeve, përsëritjen e dinamikave të ngjashme të sjelljeve njerëzore në realitetin e sotëm të përditshmërisë.
Libri është njohur dhe pranuar botërisht si një vepër e lartë mbi natyrën e së keqes dhe atë të njeriut.
Panelistë në promovimin e librit në Tiranë do të jenë:
Aida Baro – Përkthyese
Nevila Nika – Historiane
Elsa Demo – Gazetare
Fabio Levi – President i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Primo Levi, në Torino / KultPlus.com