24 Shkurt, 2023 - 7:00 pm
Nga Gjon Keka
Duke ditur se figura e Gjergj Kastrioti ishte jo vetëm simbol i patriotizmit, lirisë dhe pavarësisë e mbrojtësit të civilizimit, shumë autor, studiuesi, poet e historian kanë shkruar vepra kushtuar atij. Në veprat e shumëta që kam gjetë kryembërti ynë është vlerësuar lartë si për nga veprat e tij ashtu edhe për nga misioni,urtësia e strategjia e tij. Ai ishte bërë sidmos në kohën kur jetoi e më pas e deri në ditët tona si figura universale ,si ylli polar i Arbërisë dhe Europës.
“A mundet ai hero i pakrahasueshëm i shekullit të pesëmbëdhjetë, i cilësuar me të drejtë nga poeti Bajroni si “Princë i Kalorësve të të gjitha Epokave”, Skënderbeu i fuqishëm, i mbiquajtur për veprat e tij të pakrahasueshme të armëve, “Zoti Aleksandër”, në aludim për bashkëvendasin e tij të shquar Aleksandri i Madh, – a mund të kthehet ai luftëtar i pavdekshëm i krishterë në atdheun e tij të dashur,duke shënuar vendet dikur krenare të triumfeve të tij të pashembullta mbi një mori të panumërt armiqsh…Si do të tërhiqej vështrimi i tij i indinjuar nga vëzhgimi i atij vasaliteti poshtërues, në të cilin ai do të shihte pasardhësit e pafat të tij…”
“Flamuri yt i fuqishëm dhe mbizotërues do të ngrihet edhe një herë; emri yt – emri yt i pashoq – do të forcojë çdo zemër të atij populli trim. Veprat e tua madhështore do të mbushin përsëri veshin e kombeve duartrokitëse, të cilëve zëri i ndërgjegjes qortuese do t’u sjellë përsëri traditat e lavdisë sate të shkëlqyer.
Krahu yt fitimtar, i shtrirë nga qiejt, do të tregojë fushat ku ke veshur kujtimin e vendit tënd si me një rrobë shkëlqimi të pavdekshëm.
Po, fëmijët ende të palindur do të mësojnë të dëgjojnë bekimet për shkak të mbrojtjes sate hyjnore. Bijtë e bijat do të pëshpëritin fjalën magjike “Skënderbeu!”
Ndërsa “duke gjetur veten në Romë, vite më parë, shkova në “Biblioteca della Minerva” për të gjetur se nuk e di se çfarë pune atje. E hodha syrin te biografitë e njerëzve të shquar; Doja të lexoja atë të Heroit tonë dhe u admirova shumë kur vura re se si kanë shkruar prozatorët dhe poetët, historianët dhe romancierët, publicistët dhe shkrimtarët e çdo lloji, të çdo gjuhe, të çdo kombi…duke thënë se Skënderbeu kishte aq shkrimtarë, sa ndoshta Bibla nuk ka ekspozues, dhe as Komedia Hyjnore e Alighierit komentues.Pastaj e mbylla librin duke u ndjerë më i madh se vetja dhe duke falënderuar qiellin që linda arbëror! “
Arbërorët e vërtetë mund të frymëzohen nga kjo kur të lexojnë e shohin se si për themeluesin e identitetit arbëror europian, vulosësin e përkatësisë sonë,dhuruesin e flamurit kombëtar, mbrojtësin e qenjes arbërore dhe të civilizimit europian Gjergj Kastriotin janë shkruar me mijëra vepra të karaktereve të ndryshme.Me anë të kësaj Bibliografie jam përpjekur t’i jap një pjese të madhe publikut lexues,një pasqyrë historike të të gjithë veprave dhe sigurisht edhe një kontribut të mirëpritur në vlerësimin objektiv të kësaj vepre me rëndësi për figurën më madhore e të shenjtë të kombit tonë./ KultPlus.com