24 Tetor, 2022 - 8:30 pm
Së shpejti do të publikohet romani “Provinca” nga Liridon Mulaj, përcjell KultPlus.
“Dhe u bë qetësi ngado, një qetësi që i përngjet ngjitjes në mal, me heshtje të pezullt dhe maja tē thepisura vargmalesh që shfaqen mbi tisin pa ngjyrë të ajkës së mjegullës. Pastaj ti e gjen veten në majën më të lartë. Nën vete ke shtresat e bardha të atmosferës dhe pikla që çukisin nga poshtë si sqepa qeniesh nënujore, e shndërrohen në rrathë që hapërdahen. Ti nuk don të kthehesh më prapa, dëgjon ca si tinguj të vagullt. I thua vetes, mamaja ka vdekur. Bashkë me të, dhe ajo copëz e jetës sime që më lidhte me provincën, e shkëputur tashmë përgjithmonë. Më pas, tingujt në formë jehonash qërohen dhe ti dëgjon zërin e fqinjës që të ngushëllon për mamanë dhe shpall me zërin e saj të çjerrë fundin e dinastisë sonë. Ajo qan dhe flet për kujtimet tona, a thua se ka qenë aty tërë jetën tonë. Ajo është vajtoca e dramës sonë që mallkon padrejtësinë e jetës dhe përsërit me logore: “Jo, nuk është e drejtë!”. Po çfarë ka qenë ndonjëherë e drejtë në jetën tonë, e pyes unë. Ajo vë re përhumbjen time dhe pushon së qari. Një formë ngërdheshjeje qesharake i është stampuar në fytyrë. Unë përsëris se e tërë jeta jonë ka qenë një padrejtësi, madje krejt ekzistenca e provincës është një mallkim në të cilin thyejnë qafën ëndrrat e fëmijëve,,
Më poshtë gjeni disa shënime për romanin:
Ky roman të bën të mendosh se edhe ti e ke një histori të ngjashme, por pse nuk e ke shkruar deri më tani, apo nëse do të mund ta shkruash ndonjëherë? Ndërsa provinca nuk është kurrë diçka e re, veçanërisht qyetezat industriale pa asnjë lloj identiteti të periudhës post-komuniste. Vula që ajo lë tek gjithësecili prej nesh, është gjithmonë diçka origjinale, çka zbërthehet me mprehtësi dhe nga një pikëvështrim krejt i veçantë në këtë roman, përmes një autoportreti psiko-analitik, ku preken me guxim edhe indet më të fshehta të natyrës njerëzore.
Provinca si dramë, kurth, fatalitet apo alibi e mëvonshme, vjen përmes një rrëfimi të ashpër, të vërtetë, pa asnjë lloj konservanti, dhe si i tillë, bindës. – Luljeta Lleshanaku
Një marrëdhënie Edipi e përmbysur, ku ka nje vërtetësi të frikshme përshkrimi të realitetit. Thyerja e tabuve dhe rrëfimi i seksit të çojnë në erotizem, por njëkohësisht të ngjallin krupën. Trishtimi, dekadenca, neveria e një zhvillimi të degjeneruar janë sëmundje ngjitëse në këtë provincë. Libër i rëndësishëm , një rikthim në ekzistencializëm. – Enkel Demi (Tom Kuka)
Provinca vjen si një rrëfim i mëvetshëm, me peshën e vragave që bart njeriu, çdonjeri prej nesh, pavarësisht copës së qiellit mbi krye. Sepse, tregon pa drojë gjurmët që na bëjnë të dallueshëm – veçmas në brenga e bashkë në përpjekjen për të marrë frymë me gjithë kraharorin.
Qoshku i botës ku kemi lindur na ka angushtuar secilin; Liridon Mulaj guxon t’i kthehet harresës si kujtesa që na bën çfarë jemi… – Suela Mino (Bala)
“Falenderime të përzemërta për botuesit e mi Enxhi Hudhri dhe Bujar Hudhri të cilët u kujdesen për çdo detaj të veprës.
Për redaktoren e romanit dhe miken time Suela Mino ( Bala) si dhe për autorin e kopertinës së mrekullueshme, mikun tim Bes Cani.
Ps. Shumë shpejt do të shihemi në promovim!”, ka shkruar autori Mulaj në rrjetet sociale.
Romani “Provinca” publikohet nga Botime Onufri. / KultPlus.com