17 Shtator, 2018 - 9:16 pm
Për të 29-tën herë me radhë organizohet manifestimi kulturor, letrar e shkencor “Takimet e dom Mikelit”, që do mbahen në Stubëll të Vitisë.
Data 22 shtator do të mbledhë në Stubëll një numër të madh të krijuesve e studiuesve për pjesëmarrje në manifestim, sikundër dhe të figurave të larta të jetës publike tek ne.
Në akademinë shkencore, do trajtohet figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550 vjetorin e kalimit në amshim. Hë për hë, opinioni do njihet me kumtesat e studiuesve kompetent, si të: Jahja Drançollit, Antonio Belushit, Lucia Nadinit (Itali), Muzafer Bislimit (Shkup), Mark Palnikaj (Tiranë), Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë). Në këtë përvjetor do bëhet dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e Agron Bytyqit.
Në kuadër të akademisë, me rastin e 170 vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848),vjen historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Odette Marquet. Në fakt, organizatori, bën botimin e një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera dhe në gjuhën shqipe) që prezantohen në këtë libër. Autorja, së shpejti, del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë.
Krijuesit nga mbarë trevat shqiptare, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Orën e Madhe Letrare, e cila ka karakter garues.
Këngë, kushtuar Skënderbeut -Kryezotit të Arbërisë (siç shprehet organizatori), vijnë përmes zërit kumbues të Shkurte Fejzës, ndërkaq ansambli “Albafolk” nga Gjilani, do performojë disa valle arbëreshe. / KultPlus.com