Seminari i Albanologjisë, dritë e shqipes në botë

20 Gusht, 2018 - 1:59 pm

Sot ka nisur punimet Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku të pranishëm ishin krerë shtetëror, përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Seminari i 37-të i Albanologjisë, shënon një moment të posaçëm për kombin shqiptar, pasi që në kohëra të errëta të kombit, ky seminar ka shpërndarë një dritë të shqipes në botë.

Kreu i ekzekutivit shprehi gatishmërinë e Qeverisë për të ndihmuar seminarin, me qëllim që sa më shumë studiues të njohin dhe studiojnë shqipen dhe shqiptarët.

Teksa shtoi se kombi shqiptar i është mirënjohës gjithë studiuesve të deritashëm, teksa ftoi që edhe studiues të tjerë të njohin shqipen dhe shqiptarët.

“Në kohëra të errëta të jetës tonë, në kohëra të rënda, një dritë është shkepur nga këtu, një dritë e shqipes në botë dhe atë jo nga vet ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin prej më afër dhe të transmetojnë shqipen e shqiptarët tek popujt tjerë… Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e veta, qoftë si gjuhë, qoftë si komb, por një gjë nuk ka ndryshuar. Jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jonë është prej më të hershmeve në botë dhe si e tillë e meriton që sa më shumë të njihet në botë. Shqiptarët janë njerëz të mirë, janë popull që meritojnë të njihen”, u shpreh ai, transmeton KD.

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Lindita Nikolla, tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar.

“Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hynë në gjuhët e rrezikuara të Evropës për të cilat BE ndanë fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’iu mbështesim juve, të jemi krahë jush, për të mësuar seminare të tilla të standardeve të larta… Unë jam shumë e lumtur që kësaj nisme të Fakultetit të Filologjisë i është bashkuar edhe Universiteti i Tiranës”, u shpreh ajo.

Ajo bëri të ditur se nga ky vit, edhe Universiteti i Bolonjës mundëson që gjuhën shqipe ta ketë pjesë të ofertës të saj akademike për shumë studentë dhe studiues, qoftë në nivelin bachelor, qoftë në nivelin master.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se ky seminar është forumi më gjithëpërfshirës shkencor i shqipes në botë.

Rugova theksoi se seminari si aktivitet shkencor dhe kulturor do përkrahje dhe investimi në këtë seminar është investim në të ardhmen.

“Kam kënaqësinë e papërshkrueshme që edhe pas 36 edicioneve të këtij seminari, prapë mbetemi forumi më gjithëpërfshirës i mësimit shkencor dhe studimit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në botë”, u shpreh ajo.

Drejtori i seminarit, Rrahman Paçarizi tha se ky seminar është ambasadori i parë dhe më i suksesshëm i Kosovës, pasi që nëpër të kanë kaluar të gjithë studiuesit e albanologjisë të cilët kanë hapur katedrat e shqipes në vende të shumta në botë.

“Si drejtor i seminarit kam qenë i shqetësuar që sivjet, studiuesit e seminarit kanë qenë demotivuar aq shumë sa të mos marrin pjesë fare në sesionet shkencore dhe aktivitetet e tjera. Fatmirësisht ka ndodhur e kundërta. Kemi pasur prurje shumë cilësore dhe të numërt që na ka detyruar të bëjmë përzgjedhje rigoroze të të paraqiturve”, theksoi ai.

Sipas tij, vështirësitë vetëm se kanë ndihmuar që të forcohet ky seminar. Ndërsa, duke qenë në fund të mandatit të tij si drejtor i këtij seminari, Paçarizi tha nuk ishte e lehtë të mbante mbi supe traditën 45 vjeçare të seminarit.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Sabri Laçi, i cili uroi studentët dhe studiuesit e shqipes.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e gjashtë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Ndërsa në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nga viti 2000, seminari zhvillohet sërish në Prishtinë, përderisa sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme