15 Gusht, 2019 - 1:53 pm
Bujar Meholli
Edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqipe pritet të nis së shpejti. Tashmë është gjithçka gati për fillimin e tij. Edhe në këtë edicion, shumë studentë e studiues nga mbarë rajoni do t’i trajtojnë problemet e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.
Më 19 gusht me fillim nga ora 11:00, do të bëhet hapja zyrtare e Seminarit XXXVIII. Ky vit do të jetë interesant për faktin se janë bërë 45 vjet që kur është themeluar Seminari në Fakultetin e Filologjisë. Gjatë këtyre vjetëve ka pasur gjithsej 37 sesione, disa prej tyre të mbajtura edhe në Tiranë.
Përmbi 100 pjesëmarrës pritet të jenë në këtë edicion jubile, i cili shpërfaq edhe vazhdimësinë e këtij Seminari ndër vite.
Për këtë numër të madh të pjesëmarrësve nga mbarë bota, janë të entuziazmuar edhe organizatorët. Drejtori i Seminarit Shkumbin Munishi, thotë se ndjehet i lumtur që edicioni i ri është gati të fillojë.
“Do të ketë mjaft pjesëmarrës dhe ne jemi të lumtur. Presim studiues nga shumë vende të botës si nga Polonia, Gjermania, e me radhë. Do të organizojmë edhe kurset e gjuhës e aktivitete tjera. Janë rreth 80 studiues që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore”, thotë Munishi.
Në programin bazë të Seminarit do të ketë edhe kurse intensive të mësimit të shqipes si dhe ligjërata për letërsinë, kulturën shqipe si dhe referime, tryeza, e ligjërata të përgjithshme.
Seminari, padyshim që është një nga ngjarjet kryesore kulturore në vend. Tashmë me traditë disadekadëshe, Seminari luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës kulturore në vend si dhe krijon imazh pozitiv edhe në arenën ndërkombëtare me studiuesit nga mbarë bota që i sjellë në Prishtinë.
Pjesëmarrësit në edicionin e 38-të të Seminarit, do të zbarkojnë në Prishtinë më 18 gusht. /KultPlus.com