21 Dhjetor, 2018 - 10:34 pm
Alberina Haxhijaj
Sonte në librarinë Dukagjini është bërë promovimi i librit “Unë e përdhunuara” e autores Ramize Murtezi Shala. Libri flet për betejën jetësore të një nëne të përdhunuar gjatë luftës bashkë me dy vajzat e saj, njëra 10 e tjetra 7 vjeçare, për ta sjellë drejtësinë në vend dhe betejën për ta thyer heshtjen. Një libër ky i bazuar në ngjarje të vërtetë, histori të transmetuar edhe në disa dokumentarë në RTK, të realizuara nga autorja.
Këtë libër autorja RamizeMurtezi Shala ua ka dedikuar të gjithë viktimave të përdhunimit gjatë luftës së Kosovës 1998-1999. Supozohet se janë rreth 20 mijë vajza, djem, gra dhe burra që edhe 19 vjet pas, jetojnë të stigmatizuara pa asnjë ndihmë institucionale. Po ashtu ky libër i dedikohet 7 vjeçares, e cila vdiq më 10 prill 1999, emri i së cilës në këtë roman është Jeta.
Vasfije Krasniqi Goodman, e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, gruaja që muaj më parë tregoi historinë e saj të dhimbshme, vazhdoi edhe sonte, gjatë promovimit të librit, apelin e saj që sa më shumë të përkrahen gratë e dhunuara. Ajo përmes një videolidhje shprehu dëshirën e saj për të takuar familjen, histori e të cilës shpaloset në libër.
“Sa herë e kam lexuar këtë libër më është djegur zemra për nënën e Jetës së vogël. Këtë libër ua kisha rekomanduar të gjithëve që me e kuptu se sa shumë hekim me u ballafaqu. Ky libër dëshmon edhe një herë se serbët i kanë lënduar të gjithë, pa dallim moshe, edhe këtu na dhemb zemra kur flitet për një nënë dhe dy vajzat e saj”, u shpreh ajo duke mbajtur lotët.
Imagjinare në këtë libër janë vetëm rrethanat e jetës së mëhershme dhe të tashme. Gjithashtu të gjitha emrat janë ndryshuar. Fundi, siç ka shkruar autorja në hyrje të këtij libri është një fund që do ta dëshironim të gjithë të ndodhte.
Për këtë libër, Profesor Rrahman Paçarizi, u shpreh se të merr gjatë gjithë kohës me vete përmes rrëfimeve, përmes tekstit që është në mes prozës artistike dhe asaj dokumentare. Ai duke treguar historinë e gazetares Marta Hillers- që botoi librin “A Woman in Berlin”, ku tregonte dhunimin e saj dhe të grave të tjera, theksoi se tregimi i historive të tilla kërkon çdo herë guxim
Sipas tij kryepersonazhja e autores Ramize Murtezi Shala është pa emër, ashtu siç ishte pa emër Marta Hillers. Por, ajo është po aq e vërtetë dhe po aq e guximshme sa për ta rrëfyer historinë e saj. Ajo nuk është Vasfije Krasniqi, por është një Vasfije tjetër, pasi që sipas tij,Vasfije Krasniqi është një Marta Hiller e cila iku nga mentaliteti paragjykues dhe është kthyer për t’i rrëfyer botës atë që kishte ndodhur.
“Ngjarjet e rënda që rrëfehen përmes këtyre personazheve nuk të lë të merresh me gjuhën e romanit të një autoreje e cila për herë të parë sprovohet në fushën e letërsisë. Nuk të lë ta përcjellësh pozitën e narratorit nëse është e qëlluar apo bënë lëvizje pa vend. Nuk të lë ta përcjellësh lëvizjen në mes të sekuencave. Së paku unë e kam pasur të vështirë të merrem më këtë pjesë, thjeshtë e kam lexuar i rrëqethur gjithë kohën”, u shpreh Paçarizi.
Mirëpo, vetëm rrëfimi se çfarë ka ndodhur, sipas ambasadores Vlora Çitaku, nuk është e mjaftueshme. Sipas saj dhimbja ju takon këtyre viktimave, mirëpo turpi ju takon gjithë të tjerëve.
“Ne duhet të jemi të turpëruar, unë ndihem e turpëruar që kam bërë shumë pak dhe shumë vonë për të ju dhënë zë grave dhe burrave të dhunuar gjatë luftës. E kam lexuar librin dhe e kam përjetuar si rrëfim, pasi që nuk jam e thirrua për të biseduar për vlerat artistike. Ka qenë rrëfimi ai që më ka marrë zemrën e që e kam dëgjuar disa herë”, theksoi ajo duke theksuar se puna e saj dhe e atyre që janë nëpër institucione mbaron atëherë kur kryesit gjendet prapa grillave.
Drejtoresha e KRCT Feride Rushiti u shpreh se libri merr vëmendjen e lexuesit duke laboruar klithjet dhe përpëlitjet e qindra grave, nënave, vajzave, të cilët shumë herë i ishin lutur dhunuesit me i mbytë. E në anën tjetër, autorja Ramize Murtezi Shala duke theksuar fjalët që i kishte dëgjuar kohë më parë -“Nuk mund të shkruhet historia e luftës së Kosovës pa u shkruar edhe historia e dhunimeve seksuale të luftës”, falënderoji të gjithë që e kanë ndihmuar ./ KultPlus.com