15 Korrik, 2019 - 9:30 am
Me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, më 30 nëntor 2019, organizon sesionin e katërt të veçantë shkencor me temën “Atë Shtjefën Gjeçovi”.
Temat ku mund të përqendrohen studiuesit janë rinia dhe shkollimi i Atë Shtjefën Gjeçovit, fillet e veprimtarisë fetare dhe kombëtare në Troshan dhe Rubik, veprimtaria kulturore fetare dhe kombëtare në Zllakuqan të Klinës, hapja e Shkollës Shqipe në Zllakuqan, hapja e Shkollës Shqipe në Laç dhe të tjera.
Sesioni shkencor kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit organizohet nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit“ Prishtinë dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi“ Zym.
Atë Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, është një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, i cili për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, Atë Gjergj Fishta e shumë të tjerë. Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.
Disa prej veprave të tij janë “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lirë i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit, etj.
Ndryshe, Atë Shtjefën Gjeçovi u vra më 14 tetor 1929 në Zym të Hasit. / KultPlus.com