Sevasti Qiriazi, një nga gratë me më shumë ndikim në arsimin shqiptar

24 Shkurt, 2021 - 10:18 am

Ajo lindi më 24 shkurt të vitit 1871 në Manastir.

Është thënë se Sevasti Qiriazi-Dako ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi Qiriazi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë.

Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan , jo vetëm në fushën e arsimit , por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.

Sevasti Qiriazi Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Bashkëpunoi me atdhetarë dhe me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Kur ishte kryetare e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në SHBA, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Duke iu përkushtuar përparimit kombëtar dha ndihmesë në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.

Sevastia, motër e Parashqevisë, Gjergjit e Gjerasimit, bashkëshorte e Kristo Dakos, atdhetarit me plot merita, iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve një lloj “mëme mëkuese” e parimeve të jetës kombëtare dhe e primatit të gjuhës shqipe. Naimi e trajtonte si të barabartë, rilindasit i puthnin dorën dhe i drejtoheshin me venerim në korrespondencat e tyre, vashat e Toskërisë e adhuronin si mësuese të shkollës së tyre të parë, komitët e mbronin sikur ta kishin motrën e madhe prej nëne. / KultPlus.com

Të ngjajshme