30 Qershor, 2022 - 10:00 am
Në kuadër të Festivalit Dam, mbrëmë u jetësua figura e multiinstrumentistit Shaqir Hoti, i cili me interpretimin muzikor dhe kompozimin e krijimeve të muzikës tradicionale shqiptare, ndërtoi skenën muzikore të Kosovës, duke krijuar kështu një identitet kulturor që do të mbahet mend për shndërrimin e instrumentit të Okarinës në jetë, shkruan KultPlus.
Në natën e katërt me radhë të këtij festivali në Kino Armatë është transmetuar dokumentari “Okarina e Runikut” si dhe është promovuar libri i autores Rreze Kryeziu-Breznica, “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” në fjalët e Shaqir Hotit: Udhërrëfyes për ndërtimin dhe interpretimin e instrumenteve popullore frymore.
Shaqir Hoti me mjeshtërinë e tij në veglat muzikore ka lënë një trashëgimi të jo vetëm vlerave kulturore por edhe etnografike, e që këto vlera do të trashëgohen brez pas brezi. Me instrumentet e tij ai ka takuar frymën, ajrin dhe erën për të komunikuar me gjuhën e muzikës. Kjo figurë e jashtëzakonshme ka gdhendur një krijimtari të papërsëritshme që do të mbahet mend shumë gjatë.
Libri “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” konsiderohet të jetë një pasqyrim i jashtëzakonshëm i veglave frymore muzikore popullore. Autorët e këtij udhëzuesi, njëri në rolin e muzikologut dhe tjetri si njohës dhe performues i jashtëzakonshëm i tyre, me anë të secilit instrument të zgjedhur në këtë botim sigurojnë një përmbledhje të ekuilibruar historike të filleve dhe zhvillimit të folklorit muzikor shqiptar. Ndërsa, e veçanta e këtij udhëzuesi mendohet të jetë prezantimi i detajuar i ndërtimit dhe përdorimit të instrumenteve, paralelisht duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë teknike të tyre, duke i reformuar e përsosur ato si evidentim i dinamizmit të cilin e posedon folklori muzikor në tërësi.
Diskutimi në hapësirën e Kino Armatës u zhvillua mes anëtarëve në panel si: autorja e librit, Rreze Kryeziu-Breznica, kompozitori Valton Beqiri, kompozitori Librun Jupolli dhe aktori Fatmir Spahiu.
Fillimisht, ishte kompozitori Valton Beqiri ai e cili nisi këtë diskutim duke theksuar karakteristikat e veçanta të Shaqir Hotit, e që sipas tij janë shumë të rralla.
“Jam shumë i nderuar që sot kemi botimin e një kolege shumë energjike e cila shpresoj që do të vazhdojë me këtë ritëm dhe shpresoj që do të ketë edhe raste të tjera të promovimeve të punës dhe krijimtarisë artistike dhe shkencore të jetës. Në historinë tonë muzikore njihen shumë njerëz të cilët kanë qenë të njohur si kompozitorë, instrumentistë, interpretues por janë të rrallë njerëzit të cilët kanë deshifruar shumë gjëra. Mendoj që përveç këtyre karakteristikave, baca Shaqë ka edhe një vlerë më të madhe sepse ka qenë edhe ndërtues i instrumenteve. Pra, ka qenë një njeri i cili përveç njohurive që i ka pasur e dashurisë ndaj muzikës, ka tentuar që ato t’i interpretojë në natyrën sa më autoktone”, thotë Beqiri.
Sipas tij, Shaqir Hoti ka trajtuar veprat dhe përpunimet si komponentë universal dhe gjithmonë i ka veçuar komponentët e folklorit si dhe ato më të vlefshmet të trashëgimisë tonë kulturore.
“Pothuajse të gjithë popujt në botë kanë trashëguar instrumente primitive muzikore të cilat i kanë dhënë rëndësi muzikës. Kanë qenë të paktë instrumentistët të cilët janë marrë me punën e instrumenteve frymore. Me këtë rast e shohim vlerën e madhe që ka pasur puna e bacës Shaqë, dhe kjo vlerë është edhe më e jashtëzakonshme dhe më e veçantë. Ai ka përdorur materiale origjinale me prodhimin e instrumenteve muzikore të cilat pak a shumë japin informatë rreth historisë sonë dhe tingujt autokton. Njëherazi ai ka eksperimentuar edhe me materiale të ndryshme duke marrë përveç argjilës, edhe drurin e tjera materiale, për të pasur një gamë sa më të madhe të ngjyrave të përfituara nga instrumente të ndryshme”, thotë ai.
Ai tutje përmend edhe imagjinatën e jashtëzakonshme të Shaqir Hotit, nëpërmjet së cilës ai ka krijuar dhe dizajnuar forma dhe modele të ndryshme të instrumenteve, duke fituar kështu tinguj unik me secilin instrument.
“I gjithë ky kontribut nuk mbetet i harruar, por mbetet një histori e çmuar e model i dashurisë për artin dhe për vlerat muzikore. Me përmbledhjen e intervistave dhe rrëfimeve të bacës Shaqë në këtë libër, përvoja e tij personale në rrugëtimin e instrumenteve muzikore me prova, me fakte, me shënime të sakta, do të mbetet e evidentuar dhe e mbrojtur përmes këtij libri që do të mbetet si një udhëzues jo vetëm për të gjithë të interesuarit për punimin e veprave muzikore por edhe për të gjithë muzicientët dhe artdashësit”, përfundon Beqiri.
Kurse, kompozitori Liburn Jupolli ka cilësuar Shaqir Hotin si një katalist i cili nxit botime të reja vazhdimisht.
“Trashëgimitë që janë lënë pas nga Shaqir Hoti janë masive. Janë mbi 2000 instrumente dhe mbi 11 lloje të ndryshme të Okarinave të formateve të ndryshme, pra ne e shohim një lloj ruajtje të flakës sepse ai nuk është mjaftuar me gjetjen e Okarinës dhe sjelljen e versionit që e ka parë në ekzemplarë të ndryshëm, por ai ka vazhduar t’i zhvillojë ato. E njëjta ka ndodh edhe me fyejt e ndryshëm me të cilat ka punuar dhe të cilat ai i ka në numër të ndryshëm që i ka zhvilluar. Pra, unë kam menduar shumë gjatë dhe vazhdoj të mendoj për Shaqir Hotin dhe punën e tij”, thotë Jupolli.
Sipas tij, Shaqir Hoti është katalist.
“Shaqir Hoti është një personalitet i cili në mesin e të gjithë krijimtarisë që e kemi në folklor, personaliteti i tij katalizon edhe nxit njerëz të tjerë. Ai nxit botime të reja pa ndalë. Kjo pa dyshim nuk është botimi i fundit që do të bëhet për Shaqir Hotin”, përfundon ai.
Ai tutje thotë se është me rëndësi që të dallohen këto lloje të personaliteteve që janë në krejt skenën tonë muzikore dhe artistike sepse puna e këtyre njerëzve konsiderohet si anomali, për shkak se vazhdon pavarësisht vdekjes së tyre.
Gjithashtu, autorja e këtij libri, Rreze Kryeziu-Breznica ka përmendur faktin se ky botim i dedikohet personalitetit të jashtëzakonshëm të Shaqir Hotit.
“Është padyshim që është një kënaqësi e madhe për mua që sonte të jam bashkëautore në këtë promovim. Ajo se çka fillimisht mund të them është se në këtë karrierën time të vogël, ky ishte një nga proceset më të bukura që kam realizuar ndonjëherë deri më sot. Botimin të cilin sot po e promovojmë nuk është vetëm promovim ose pasqyrim i detajuar i instrumenteve popullore frymore, por po ashtu ky botim i dedikohet një personaliteti të jashtëzakonshëm i cili dallohej si interpretues, punues, hulumtues i veglave muzikore dhe krijues, duke u shndërruar kështu në një fenomen të papërsëritshëm për ne”, thotë Kryeziu-Breznica.
Sipas saj, ishte një rrugëtim i gjatë e aspak i lehtë dhe padyshim që ajo nuk do të ia dilte pa ndihmën e mbështetjen që e ka fituar kur edhe është iniciuar në fillim ky proces.
Ndërkaq, aktori Fatmir Spahiu në rolin e producentit ka folur rreth krijimit të filmit dokumentar “Okarina e Runikut” nën regjinë e Genc Berishës, me skenar të Seadet Beqirit. Ky film dokumentar pati ardhur premierë në një vjetorin e vdekjes të Shaqir Hotit.
“Për mua ka qenë me të vërtetë një privilegj që më ka ardhur kështu papritmas që të merrem fillimisht me realizmin e një dokumentari mbi njohjen e artefakteve më të rëndësishme e që për publikun e gjerë e sidomos për komunitetin artistik muzikor, në vëmendje e ka sjell Shaqir Hoti. Pra, dokumentari është i menduar për këtë artefakt të rëndësishëm por natyrisht që ky të vihet në pah, do të ishte e pamundur pa shfaqjen dhe paraqitjen e bacës Shaqë”, thotë Spahiu.
Sipas tij, ky është një dokumentar me një buxhet jashtëzakonisht modest por me përmbajtje të një dashurie të madhe.
“Ajo se çka vlen të theksohet është fakti se xhirimi i këtij dokumentari ka zgjatur diku rreth mbi dhjetë viteve. Pra ka pamje nga një punëtori e vjetër e bacës Shaqë dhe ka intervista që janë realizuar kohëve të fundit. Për nga përmbajtja, dokumentari ka një jetëgjatësi dhe një narrativë interesante në krahasim me dokumentarë të tjerë. Personalisht do të dëshiroja që edhe unë në cilësinë e producentit por edhe gjithë akterëve të tjerë, që këtë dokumentar ta trajtojmë si një lloj hyrjeje në një dokumentim më të gjatë e më të madh edhe të punës të bacës Shaqë por edhe të një lufte për të kërkuar artefakte tona e sidomos ato që na bëjnë krenar”, thotë ai.
Ai tutje tregon se gjithmonë ka pasur një dëshirë të madhe që ai të bashkëbisedoj me bacën Shaqë, përmes profesorëve të tjerë.
“Ka qenë e pashmangshme të mos e njoh bacën Shaqë por gjithmonë kur i kam parë intervista e dokumentarë të tjerë, kam pas përshtypjen që instrumentet e tij kanë një aheng të tyre sepse kur i shpjegonte vetë baca Shaqë, të krijohej përshtypja se ato kanë jetë dhe me mbylljen e derës dhe fikjen e dritave, fillon një jetë e tyre”, përfundon Spahiu.
Okarina është instrumenti i vetëm muzikor i periudhës së neolitit, i zbuluar në regjion. Përmes këtij dokumentari konsiderohet se pasqyrohen vlerat arkeologjike, muzikore dhe artistike të këtij instrumenti dhe njëherësh pasqyrohet pasioni i instrumentistit Shaqir Hotit dhe përkushtimi i tij në studimin dhe ndërtimin e Okarinës. Puna e tij riktheu interesimin e të rinjve dhe opinionit për vlerat e këtij instrumenti si dhe sensibilizoi shoqërinë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore. Ky instrument, së bashku me shumë artefakte tjera ende nuk janë kthyer në territorin e shtetit të origjinës – Kosovës.
Libri “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” është botimi i parë i shtëpisë botuese “Kukuzeli”, shtëpi kjo që do të merret ekskluzivisht me botimin e literaturës muzikore. / KultPlus.com