6 Dhjetor, 2017 - 9:51 pm
Ministria e Kulturës ka ndarë sot çmimet e mëdha të Letërsisë, për vitin 2016.
“Vepra më e mirë e vitit e Letërsisë Shqipe” dhe “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer”, kanë qenë dy çmimet e ndara sot. “Vepra më e mirë e vitit të Letërsisë Shqipe” për vitin 2016, iu dha shkrimtarit Idlir Azizaj për veprën “Shekspirotët” të shkruar në një zhanër që ndërthur imagjinatën groteske me peizazhin dramaturgjik. Rezultati është një tekst ku thuren me nerv dhe humor të zi në unitet mjedisi i trazuar shqiptar i shekullit XXI me një stil moderniteti.
Në ceremoninë e çmimeve kombëtare të Letërsisë për vitin 2016, po sot, përkthyesja Diana Kastrati u nderua me çmimin “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer”, me “Kanali Musolini” i autorit Antonio Pennacchi.
Pesë shkrimtarë mes tyre dhe emra të rinj kanë qenë kandidatë për çmimet e mëdha të letërsisë që çdo fundviti akordohet nga Ministria e Kulturës.
Juria ishte e përbërë nga Primo Shllaku, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Flutura Açka, Elsa Demo, Bajram Karabolli dhe Lisandri Kola. Më herë kjo juri bëri të ditur emrat e kandidatëve të nominuar për çmimin “Vepra më e mirë e vitit të Letërsisë Shqipe” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer” për vitin 2016. / KultPlus.com