18 Dhjetor, 2021 - 7:16 pm
Në kuadër të bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kosovë, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës, sot në Tiranë shënuan 100 vjetorin e themelimit të PEN International.
Me këtë rast u zhvilluan një varg aktivitetesh letrare dhe u ndanë çmime dhe mirënjohje për vepra dhe veprimtari letrare.
Fjalë mbajtën znj. Entela Kasi, kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe z.Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.Gjithashtu, z.Besnik Mustafaj, paraqiti kumtesën 100- vjetori i PEN-it International.
Në kuadër të aktivitetit u nënshkrua Akti i Marrëveshjes për themelimin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë ‘PEN'( Shqipëri- Kosvë), i cili do të mbahet një vit në Prishtinë, pastaj vitin pasues në Tiranë.
Në këtë përvjetor çmimi për vepër letrare iu nda Ibrahim Berishës për veprën me tregime “Aroma e qiellit” dhe Besnik Mustafajt për veprën “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”, ndërsa me mirënjohje të veçanta u nderuan: Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Sadik Bejko dhe Mal Berisha.
Gjithashtu, u zhvillua një diskutim i gjerë për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës, me ç’rast referuan Avni Spahiu dhe Ben Andoni. Më pas, u promovua revista letrare dhe kulturore “PEN Kosova”, ku fjalën e paraqiti kryeredaktori i saj, Osman Gashi.
Ditën e dytë, aktivitetet letrare dhe kulturore do të vazhdojnë në Lezhë. / KultPlus.com