23 Prill, 2021 - 1:38 pm
Era Berisha
Inkuadrimi gjithëpërfshirës i kulturës së librit, ofertat, kërkesat, problemet, vështirësitë dhe përfshirja kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ishin këto vetëm disa nga diskutimet të cilat mblodhën dashamirë të shumtë të artit, pikërisht sot në ditën ndërkombëtare të librit e cila u organizua nga Organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani”, në hapësirat e Qendrës ‘’Librat’’, shkruan KultPlus.
Në këtë diskutim të pranishëm në panel ishin: këshilltari politik i ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Qerim Ondozi, drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani” Munish Hyseni, shkrimtari dhe botuesi Ag Apolloni, lexuesja e vitit 2018/19 Tuana Çitaku dhe drejtori i organizatës ETEA Agon Ahmeti, të cilët nisën diskutimin rreth politikave dhe planeve të MKRS-së mbi çështjen e librit.
Për të folur më shumë rreth kulturës së lexueshmërisë dhe përkrahjes e mbështetjes nga ana e institucioneve të ndryshme, në këtë rast mendimin e tij e ka shprehur Qerim Ondozi.
“Ne jemi qeveri e re që kemi filluar punën një muaj më parë duke trashëguar një histori kulturore duke përfshirë librin prandaj për ministrinë tonë është shumë e rëndësishme promovimi i librit dhe ngritja e komunikimit, prandaj misioni ynë është ngritja e nivelit e komunikimit gjuhësor i cili realizohet përmes kulturës, leximit që pasuron komunikimin tonë dhe shpërfaqjes së kulturës në paraqitjen tonë publike”, shprehet Ondozi.
Sipas tij, aktiviteti i parë fillon me përkthimin e veprave të autorëve shqiptar në gjuhë të huaja sepse ka shumë pak autor të mrekullueshëm si poet e prozator të cilët nuk janë të përkthyer. Po ashtu, rajoni duhet që ta njohë prodhimin tonë letrar dhe artistik sepse kështu përmirësohet komunikimi i mirëfilltë me ngjashmëritë dhe dallimet që ekzistojnë.
“Sa i përket mbështetjes, MKRS-ja nuk dëshiron të krijojë politikë por dëshiron që të marrë ide nga botuesit, përkthyesit, shoqatat e shkrimtarëve dhe bibliotekat, duke parë kështu nevojat e tyre që ne ti mbështetim në mënyrën më të mirë duke financuar në fokusin kryesor të libri. Ne do të mundohemi që subvencionimi i projekteve për OJQ-të, shtëpive botuese dhe aktivitetet letrare e kulturore, të ri dizajnohet tërësisht që të mos ekzistojë vetëm një thirrje në vit por thirrje të hapura”, përfundon Ondozi.
Po ashtu, në një bashkëbisedim nga Ag Apolloni dhe Munish Hyseni për dashurinë, pasionin dhe dëshirat e shumta të librit, shpalosën mendimet e tyre rreth aspekteve të cilat ngritin kulturën e leximit duke mbështetur kështu shkrimtarë e botues.
“Librat të cilat shiten në librari i japin një iluzion lexuesve si p.sh librat të cilat tregojnë se si njeriu të bëhet i lumtur, personalisht më ndikojnë në shpirt, prandaj në Shqipëri dhe Kosovë ka nevojë të madhe për beletristikën, pra që arti i bukur të inkuadrohet dhe që libri të mbështetet nga institucionet të cilat deri më tani nuk e kanë pasur një qasje të duhur ndaj librit sepse libri duhet të dashurohet nga lexuesit”, shprehet Apolloni.
Sipas tij, në vend të pasqyrës duhet të hapet dritarja, prandaj ka nevojë për promovime të librit e që ai të mos shpërndahet vetëm në Prishtinë por edhe komuna tjera, prandaj nevojitet një decentralizim i kulturës. Ai ka potencuar se vetëm Kadareja jeton shumë vite sepse sa është Kadare plus nga ana e kapitalit të librit aq është vetë Apolloni në minus sepse ekzistojnë sfida të shumta për shkak se kjo varet nga kërkesat e lexuesve dhe nga kërkesat e vetë autorit.
Ndërsa në anën tjetër të bisedimit, Hyseni u fokusua në disa probleme sepse disa qytete të Kosovës janë në një gjendje të rëndë për shkak të standardeve të ndryshme e në kohët e hershme ka qenë një numër më i madh i fëmijëve lexues por tani është e kundërta.
“Bindshëm dominon letërsia botërore dhe për fat të mirë librat komerciale janë më pak të kërkuara sepse biblioteka jonë në mënyrë të vazhdueshme është pasuruar mjaft shumë ku brenda 5 viteve rreth 50.000 mijë euro çdo vit janë realizuar projektet e ndryshme. Mirëpo, unë shpreha një sugjerim që MKRS-së të konsultohet me bibliotekat për nevojat e tyre të përcaktuara në mënyrë që titujt e ndryshme të jenë në përdorim të lexuesve”, shpreh Hyseni.
Sipas tij, do të përpiqen të japin sugjerime rreth asaj se çka kërkohet dhe çka lexohet por asnjëherë duke mos përjashtuar librat e tjerë.
Krejt në fund, panelistët ftuan Fatime Mehmetaj që të ndajë çmimin e lexuesit për vitin 2020/2021 për Lilian Palokajme, ndërsa Ag Apolloni ndau çmimin për Bardha Osmani. Po ashtu, e ftuara e veçantë e këtij diskutimi që njëkohësisht është lexuesja e vitit 2018/2019, Tuana Çitaku pati rastin ta marrë librin e titulluar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të nënshkruar nga vetë Apolloni.
Pas këtij diskutimi të rëndësishëm mbi librin, pasoi një koktej rasti mes të gjithë të pranishmëve, në një ditë të tillë botërore e cila organizohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), e që këtë vit u shënua edicioni i 25-të i kësaj date në kalendarin botëror. Gjithashtu në këtë ditë është shpërndarë raporti hulumtues mbi “Efektin e të lexuarit në inteligjencën emocionale dhe mirëqenien psikologjike të fëmijëve”, raport ky i botuar nga organizata ETEA, QHPSM dhe CSAY./ KultPlus.com