22 Mars, 2018 - 8:48 pm
Adrian Kabashi, 32 vjeç, ka vdekur para një muaji. Ai ka qenë i lindur me Sindormën Daun. Teksti në vijim, i motrës së tij, gazetares së njohur Adriana Kabashi, është një rrëfim për jetën, diagnostikimin dhe peripecitë e tyre në QKUK
Dy ditë pasi mori terapi kundër gripit, Adrianit iu keqësua gjendja dhe u nisëm urgjent për Emergjencë. Po… për në emergjencën e QKUK- së! Sepse në raste të tilla pika e parë reference është Emergjenca. Ose do të duhej të ishte.
Sepse ende besoja se në qendrën spitalore kishte njerëz që bënin me përkushtim punën, sado që kishte mungesa të mëdha në barna e pajisje.
Në dhomën nr 4 na thanë le të shkojë te dhoma nr 5., Adriani mezi rrinte në këmbë. Në nr 5 ia gjetëm një karrige ku të ulet. Mjekja që i tha të ulet, m’u drejtua: nuk ka vend këtu, le të shkojë në nr 4.
Ajo insistoi dhe ne dolëm. Atyre në 4 ju treguam që s’kishte vend në 5.
Ndërkohë kjo mjeke kishte filluar të merrej me një “peshk të madh” të politikës, që nga burgu kishte ardhur për kontroll aty (e ruanin katër a pesë persona).
Në nr. 4 e vendosën Adrianin në një shtrat. Duke parë se po i vështirësohej frymëmarrja i tregova një infermieri se kishte nevojë për oksigjen. Ia vendosën oksigjenin. Një orë mbetëm duke pritur se cili mjek do të kujdesej për të. Disa analiza u bënë brenda QKUK – së dhe disa i dërgova në laboratore private.
Mjekja e Emergjencës thirri kardiologun e pulmologun. Pulmologu nuk erdhi as pas gjashtë orë qëndrimi në Emergjencë… dhe askush, fatkeqësisht, nuk kishte fuqi ta detyronte të vinte!
Kjo ishte kronologjia e hyrjes në QKUK dhe qëndrimit treditor në repartin e kardiologjisë, njësia koronare.
“Shikoni zonjë… personat me Sindromën Daun nuk jetojnë më shumë se… “.
Kështu nisi shpalosjen e profesionalizmit të tij, mjeku i ndërrimit…
“Ju lutem…! Për 32 vjet kam lexuar tërë literaturën e mundshme botërore për sindromën Daun dhe nuk është momenti të flasim për statistika…
Ne e dimë gjendjen e tij doktor… por tash duhet të merremi me virusin, jo sindromën…”.
” Por ju e dini gjendjen e tij, Sindroma Daun…”.
Ata ngrenë duart ende pa bërë asnjë përpjekje!
Njësia koronare ishte e mbushur me të moshuar të stentuar… kishe përshtypjen se krejt Kosova po vendoste stenta, masovikisht.
Mungonin gjërat elementare, barnat, injeksionet, kateterët, shiringat, sistemet e infuzionit e inhalimit e çka jo…. por, mjekët e këtushëm ushtronin ‘dinjitetshëm’ superioritetin e tyre (!) kur parakalonin para pacientëve të cilët i shikonin si zota. Ende kam para syve pelerinën e mjekut të vizitës që hiqej si shkencëtar i madh i mjekësisë thua se kishte zbuluar ilaqin kundër vdekjes…e në dhomën ku ai parakalonte lartëmadhërinë e tij, mungonin edhe qeskat e urinimit!
Një grua nën ndikimin e anestezionit çohej nga shtrati dhe rrezikonte gjakderdhjen dhe jetën. Askush nuk i qëndronte afër. Me asgjë nuk e parandalonin këtë gjë, pos me britmat arrogante të infermieres që reagonte pasi e paralajmëronin të shtruarit e tjerë në dhomë.
Unë nuk e di kush është fajtor për gjendjen në QKUK… mjekët, qeveria, kriminelët, krimi i organizuar në nivel qendror apo kriminaliteteti brenda QKUK -së, por e di që atë vend e ka mbërthyer krimi individual, neglizhenca, injoranca, si dhe kriminaliteti i organizuar…
Vendi ku pacienti është një nga lebrozët e shumtë që po të ketë fatin dhe organizmin e fortë do t’i mbijetojë sëmundjes dhe QKUK – së… aty infermieret i krijojnë alibi mjekut që mungon me orë të tëra… e fati i pacientit është edhe në duart e infermieres që nuk di të bëjë dallimin midis 15 minutave inhalim e 15 mililitrave të tretjes për inhalim!
E kur më në fund mjeku parakalon për vizitë, na hedh një sy, ndërron dy llafe me kolegun: “ma mirë është sot…” dhe vazhdojnë tek shtrati tjetër…
“Sepse… shikoni zonjë, ju e dini, personat me Sindromën Daun…”.
QKUK është pasqyra e këtij vendi. Këtu s’ka vend për ‘tjetrin’ për atë që është ndryshe, sepse kjo shumicë uniforme me një tru të uniformuar nuk ka aftësi të kuptojë e pranojë realitete që dalin nga kornizat e mendjes së tyre mediokre.
Edhe këtu rivaliteti, inatet personale, ndikimet partiake, kishin bërë të veten… “Ma mirë mos me ardhe unë aty, se me më pa ata, veç sherrin ja boj djalit” kështu m’u përgjigj njëri nga mjekët, të cilin e konsultova për mundësinë që Adrianin ta largoja nga ky vend.
Po. Këtu mjeket kishin zhbërë besimin se mantelbardhi dhe humanizmi janë koncepte të pashkëputshme me njëri tjetrin.
Unë pata fatin ta largoj Adrianin nga kjo karantinë, e ta dërgoj në një spital privat. Por, dikush mund të mos e ketë!
Adriani nuk i mbijetoi gjendjes së rënduar, por ne nuk u dorëzuam deri në fund…
Mjekët tanë nuk e kanë përgatitjen e duhur etike e profesionale të trajtojnë secilin pacient si individ të vecantë e jo si statistikë.
Në mjekësi jo gjithnjë dy plus dy bëjnë katër.
Këtë e ka dëshmuar edhe jeta e Adrianit (Gigit tonë), i cili përkundër diagnozës që statistikisht i jepte vetëm 3 vjet jete, ka jetuar 32 vite të lumtura. Sepse kishte vëmendjen si individ i veçantë, kishte respektin dhe dashurinë e pafund për atë që ishte.
Adriani (Gigi) që nga dita e parë e jetës së tij na ka sjellë gëzimin në shtëpinë tonë. Na ka dhanë kaq shumë dashuri, e cila do t’na bëjë dritë tanë jetën.
Përndryshe QKUK, kështu si është, duhet të mbyllet… të paktën këtyre doktor xhekillave t’ju pamundësohet eksperimentimi me trupat e njerëzve!
Gigi, dashuria ime ekstra. Ai ishte ekstra në çdo gjë, ashtu siç e kishte edhe një kromozom ekstra.