Shkarkohet prorektorja Teuta Pustina-Krasniqi

29 Mars, 2018 - 7:21 pm

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka marrë vendim që ta shkarkojë nga posti i prorektores Teuta Pustina-Krasniqin.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës thotë se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 29. 03. 2018 diskutoi mbi situatën e krijuar pas deklaratave të prorektores për marrëdhënie me jashtë prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Këshilli Drejtues distancohet nga deklaratat individuale të prorektores Pustina-Krasniqi, të cilat edhe pse sipas saj të paqëllimshme kanë zgjuar reagimin e segmenteve të shoqërisë civile dhe kërkesave për përgjegjësi nga Parlamenti Studentor i UP-së.

Këshilli Drejtues i UP-së thotë se mbetet i përkushtuar thellë në luftimin e të gjitha dukurive negative në UP duke zbatuar ligjin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Në një situatë të tillë, Këshilli Drejtues i UP-së në suaza të përgjegjësive të veta statutare, respektivisht nenit 15 të Rregullores së punës së Këshillit Drejtues të UP-së, me votim të fshehtë vendosi për shkarkimin nga detyra të prorektores prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi. Këshilli Drejtues shpreh vlerësimin e vet për punën e deritanishme të prof. Pustina-Krasniqi”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Të ngjajshme