Shkëlzen Gashi publikon librin “Kosova-Lufta dhe Paqja” me 34 intervista

20 Shkurt, 2019 - 3:15 pm

Publicisti Shkëlzen Gashi së fundmi ka publikuar librin “Kosova-Lufta dhe Paqja”, në të cilin ka përmbledhur 34 intervista të realizuara 15 vite më parë, shkruan KultPlus.

Gashi ka treguar se ky libër përfshin një mori intervistash, të cilat i ka realizuar gjatë kohës sa ishte student në Departamentin e Shkencave Politike në UP. Një pjesë e intervistave flasin për Marrëveshjen e Rambujesë , me pjesëmarrës e kundërshtarë të kësaj marrëveshjeje: Albin Kurti, Fatmir Humolli, Arsim Bajrami, Adem Demaçi, Ramë Buja, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Enver Hasani, Bujar Bukoshi, Mehmet Hajrizi, Blerim Reka, Fadil Hysaj dhe Hydajet Hyseni. Këto intervista, Gashi  i ka realizuar gjatë verës së vitit 2004.

Po, ashtu ky libër përfshin edhe intervistat që Gashi ka realizuar gjatë vitit 2005 për tema të ndryshme, ku të intervistuarit ishin Azem Vllasi, Bajram Rexhepi, Melihate Tërmkolli, Adem Demaçi, Sylejman Selimi, Nexhmedin Spahiu, Rexhep Selimi dhe Mahmut Bakalli.  Pjesë tjetër e librit përfshin intervistat që Shkëlzen Gashi i ka realizuar në vitin 2006,kryesisht me politikanët e Kosovës, për negociatat për statusin politik të Kosovës me Serbinë, çështjen e decentralizimit dhe të statusit të ‘zonave të mbrojtura’ për kishat dhe manastiret ortodokse të Kosovës. Për shtjellimin e këtyre problemeve ai ka intervistuar: Lutfi Hazirin, Shkëlzen Maliqin, Jakup Krasniqin, Enver Hasanin, Kaqusha Jasharin, Ylber Hysën, Smajl Latifin, Enver Hoxhajn, Muhamedin Kullashin, Adem Demaçin, Veton Surroin dhe Shinasi Ramën.

“Këto intervista, të realizuara para rreth 15 vjetëve, vlerësova se ia vlen të përmblidhen të gjitha në një vëllim me titull “Kosova – Lufta dhe Paqja”, i bindur se mund t’u hyjnë në punë studentëve e studiuesve të shkencave sociale, gazetarëve e analistëve, e edhe politikanëve negociatorë”, ka shkruar në njoftimin e tij Gashi.

Libri përmban 34 intervista, ka 502 faqe, kushton 5 €, dhe gjendet në të gjitha libraritë e Prishtinës: Dukagjini, Artini, Buzuku, Soma…/ KultPlus.com

Të ngjajshme