Shkollat e Ernest Koliqit, vepra më e madhe kombëtare në 100 vjetshin e fundit

16 Korrik, 2021 - 12:15 pm

Nga Gani Mehmetaj

Para 70 e ca vjetësh Ernest Koliqi i madh, hapi shkollat shqipe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër. Dardania përjetoi lulëzim e arsimim më shumë se kurrë më parë gjatë historisë kombëtare. Fotografitë e kohës janë emocionuese: qindra nxënës shqiptarë me qeleshe në kokë e rroba të pastra kombëtare rrinë gatitu para flamurit kombëtar, ose mësojnë me përkushtim në klasat e tyre. Askush nuk ia ngriti një përmendore dhe nuk e kujtoi për këtë vepër madhore, askush nuk e thotë se punën e tij nuk e vazhduan, përkundrazi… e rrënuam!

‘’U hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta, ndërsa në vitin shkollor 1943-1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës’’.

Koliqi solli nga Shqipëria londineze qindra mësues. Ishte kjo një punë kolosale që nuk e bëri askush para tij dhe pas tij.

Brezi i vjetër i kujtonte me mall kur isha i ri shkollat e Koliqit, ashtu sikurse e kujtonin Shqipërinë Etnike. ‘’Ma të forta ishin shkollat fillore të Shqipnisë Etnike se sa shkollat e mesme sot’’, ta thoshte i sigurt secili që kishte mësuar në ato shkolla. Këtë ma thoshte gati çdo ditë babai im admirues i madh i Koliqit.

Vullnetarët e Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë e mbrojtën me gjak Shqipërinë Etnike e shkollat shqipe, duke iu kundërvënë forcave çetnike që bënë masakra të frikshme. Rrëfimet e babait tim, vullnetar Dukagjini, që sa nuk e la kokën në kufijtë e atdheut diku mbi Peshterë i kujtoj me emocione. Popullatën e pambrojtur shqiptare e shpëtuan nga gjenocidi forcat nacionaliste-balliste, por kur u futën brigadat partizane serbo-malazeze, të ndihmuara nga partizanët shqiptarë, mori fund Shqipëria Etnike, nisi gjenocidi. Ushtria serbo-malazeze vrau si kurrë më parë shqiptarë etnikë; mbyllën të gjitha shkollat shqipe nga Rozhaja deri në Pazar të Ri, dëbuan më shumë se gjysmën e popullatës, ndërsa ata që mbetën i detyruan të regjistroheshin boshnjak deh të mësonin serbisht. Kurrë më nuk u hapën shkolla shqipe. Heshtja e shqiptarëve të nëpërkëmbur vazhdoi mbi 60 vjet.

Për meritat e jashtëzakonshme përmendore Ernest Koliqit kanë kërkuar t’i ngrihen në Maqedoninë shqiptare, në Mal të Zi dhe në Dardaninë e çliruar. Mirëpo si një mallkim, ende bëjnë pengesa për ta përjetësuar në shtatore shqiptarin më të madh të arsimit dhe njërin ndër shqiptarët më të mëdhenj të rizgjimit kombëtar. / KultPlus.com

Të ngjajshme