7 Mars, 2020 - 5:00 pm
Ese nga Neki Lulaj
Shkollat e para shqipe datojnë nga shek. XVl -XVll të paktën nga viti 1632 ose 225 vjet me herët se Mësonjëtorja e Korçës. Ato janë;shkolla e Stubllës se Karadakut 1584-të ku fillon tradita e mësimit shqip pastaj shkolla e Velës e hapur nga ipeshkvi i Lezhës ,shkolla e Kurbinit e cila u themelua në vitin 1632 afër Krujës, shkolla e Pllonës dhe e Bilishtit 1638 nga Pater Karli i Miradoles,shkolla e Himarës 1628 shkolle shqipe me germa latine shkolla e Shkodrës 1638 shkolla e Blinishtit te Zadrimës e hapur ne vitin 1639 nga Frat Kerubini, shkolla e Shna Premtës se Kurbinit ne Gallat u hap nga ipeshkvi i Gjon Kalesi dhe vazhdon deri në vitin 1650 kur ipeshkvi i pasardhësit të Arbnise Mark Skura tanime ishte mplakur dhe nuk mundte ti përballonte dhe ti mbronte sulmet barbare osmane të asaj kohe të cilët nuk donin që të përhapet shkollimi në gjuhën shqipe. Shkolla e Oroshit 1657 shkolla e Janjeves 1671. Shkollat e Pejës,Jakovës,Prizrenit ,Durrësit dhe shumë të tjera te hapura nga franceskanët.
Shkollat e para fuqizohën nga Kuvendi i Arbrit që mbahet në Merqi te Lezhes ne kishën e Shen Kollit me 14 dhe 15 kalnor te vitit 1703 me bekimin e Papo Klimentit Xl me origjinë shqiptare përkunder asimilimit otoman e deri në Lidhjën e Prizrenit 1878 në Durrës Shkoder Kosovë kishte 21 shkolla fillore. Fakti dokumentar i Kuvendit te Arbnit u botuan ne latinisht si në shqip 300 vjet më parë dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata kishin vijuar mësimet dhe ishin shkolluar.
Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehët aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjës ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.
Mësonjëtorja e Korçës kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë të veçantë përgatitore. Lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Shkolla të tjera u hapën sipas këtij shembulli në mbarë trojet shqiptare. Tekstet e përdorura në shkollë si; abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. si vepra të rilindësve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike.
Vetë Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjës shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Hapja e shkollës së parë shqipe, 7 Mars 1887 Dita e mësuesit në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllazërit Sami e Naim Frashëri. Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi. Mësonjëtorja e Korçës u hap në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë historike është sot muzeu kombëtar i arsimit. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfëra e të pasura.
Andaj Mësonjëtorja shqipe e Korçës dhe data e 7 marsit të vitit 1887 është periudha e fundme të perandorisë Osmane dhe mbetet si Dita shenjët e mësuesit. /KultPlus.com