Shkrimtarët Dom Ndoc Nikaj dhe Gëzim Puka sjellin dy tituj të rinj

27 Korrik, 2017 - 3:13 pm

Ditë më parë nga shtypi doli romani ‘Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun’. Është ky botimi i tretë i këtij romani historik i cili te lexuesi vjen sërish pas 100 vitesh. Ky roman konsiderohet si një ndër romanet e para të letërsisë shqipe ndërsa Dom Ndoc Nikaj njihet si nismëtar apo ‘baba i prozës gege të shekullit XX’.

Romani ‘Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun’ u botua për here të parë në vitin 1913. Me këtë lloj titulli të dyzuar, emërtues dhe sqarues autori na rrëfen një ngjarje dashurie, që shkon kundër zakonit të fejesave në moshë të mitur, mjaft të përhapura në atë kohë në malësitë shqiptare. E gjithë kjo dramë ndodh në skenën e një ngjarjeje historike, siç ishte lufta për mbrojtjen e Ulqinit, pas Kongresit të Berlinit (1878).

Sipas recensentëve të librit Gëzim Pukës dhe Gjovalin Çunit, lexuesi i sotëm do të gjejë vlera në poetikën e romanit të Ndoc Nikajt, aq më shumë në këtë vepër ku Ulqini, ka shërbyer si sfond për një histori dashurie të dy të rinjve. Duke e parë në këtë pikë vështrim simbolik, horizonti i pritjes së lexuesit të sotëm e pranon akoma me endje dhe magjepset nga një roman i tillë i tipit sentimental dhe historik.

Romani është i ribotuar në gjuhën origjinale të autorit, gjë që veprën e bënë edhe më interesante për lexuesin e sotëm. Redaktori i librit është Jaho Kollari, recensentë Gëzim Puka dhe Gjovalin Çuni, botuar nën siglën e SHB DITI&OLI- Ulqini dhe përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

Dom Ndoc Nikaj, ka lindur në Shkodër më15 qershor 1864. Mësimet fillestare i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës, në kohën e Karlo Pooten dhe në Seminarit Papnor, të udhëhequr nga eterit jezuit. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888. Në vitin 1910 ka hapur shtypshkronjën e parë publike në Shkodër, shtypshkronja “Nikaj”, në të cilën botohen gazeta, vepra letrare dhe tekste shkollore. Arrestohet më 9 shtator të vitit 1946, me akuzën si pjesëmarrës në kryengritjen e Postribës e dënohet me 5 vjet burg. Për shkak të moshës së thyer vuan dy vjet e gjysmë të dënimit. Vdes në moshën 87 vjeçare në vitin 1951, në Shkodër.

Gëzim Puka, ‘Në kërkim të një drame ndryshe’

Në këtë studim mbi dramën bashkëkohore shqipe autori interesohet për tekstin dramatik dhe tenton t’i afrohet këtij procesi të evoluimit të kësaj gjinie letrare në letërsinë shqipe, përmes metodës së vëzhgimit të disa teksteve letrare, periodikëve dhe arkivave. Analiza përqendrohet mbi vështirësitë që formohen në brendësi të formës dramatike të disa autorëve që janë marrë si përfaqësues. Pikënisje janë disa tekste të dramave shqipe bashkëkohore, të cilat mbetën jashtë metodës së imponuar të realizmit socialist. Përgjatë zhvillimit të saj historik gjinia dramatike, si një formë apo instrument racional dhe i kontrolluar, ka pësuar disa lloje ndryshimesh. Gjatë viteve ’90 gjinia dramatike ndryshoi kursin nga dramë realiste drejt një drame moderne dhe post moderne. Tekstet dramatike të Kasëm Trebeshinës, Serafin Fankos, Stefan Çapalikut, Albri Brahushës njohën suksesin në konkurse të ndryshme, por u zvogëlua impakti me lexuesin-spektator.
Sipas Prof. dr. Josif Papagjonit, përmes kësaj monografie i jepet një orientim dhe përmasë e thelluar studimit të tekstit dramatik në një qasje të re, jo aq të prekur nga kritika jonë. Analizohen dhe interpretohen disa autorë interesantë të dramës shqipe, të cilët i bashkon një aspekt i rëndësishëm, ai i tjetërsimit që ka pësuar forma dramatike si e tillë përmes risive në gjuhë, në kodet e ligjërimit dhe ato të komunikimit. Përfundimet e librit janë interesante, hedhin dritë në procese të transformimit të modelit të dramës, duke u bazuar në njohjen e mirë të strukturave të saj të fundme si dhe koncepteve teorike. Vlerën studimit ia rrit, po aq, stili i autorit: thellësi mendimi, këqyrje e argumentit nga një shumësi pikash, ligjërim teorik i thelluar, ndërthurje e dialektikë kahesh e idesh, strukturë e shkrifët, frazë e përpunuar me shije.”


Ky studim ka miratimin e QSA (Qendrës për Studime Albanoligjike) ekskluzivisht e boton SHB Diti & Oli nga Ulqini, me recensentë Josif Papagjoni dhe Stefan Çapaliku, redaktorë Vinçens Marku dhe Erzen Koperaj ndërsa botimin e përkrahi Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

Gëzim Puka është lektor pranë departamentit të Letërsisë në Fakultetin i Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Anëtar i Bordit artistik të Bashkisë së Shkodrës. Ka botuar artikuj shkencor dhe kumtesa në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe është pjesëmarrës i shumë konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme