Shkrimtarët që kanë folur për luftën

17 Tetor, 2022 - 8:00 pm

Lufta është një ndër temat që ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve. Që nga koha e klasikëve deri te modernët, janë të shumtë ata që kanë shkruar për ndërveprime të rëndësishme, për operacione ushtarake, jetë në udhëkryq e në rrezik. Më poshtë është një listë me shkrimtarët që kanë shkruar për luftërat më të rëndësishme. Kjo është një mënyrë për të treguar se lufta është një e keqe që prej kohësh lë shenjë në historinë e njerëzimit dhe duhet evituar në mënyrë absolute.

Erodoti – Ky grek me origjinë nga Azia e Vogël, përkatësisht nga Alikarnazo, është babai i historisë së disiplinës. Erodoti është i njohur për përshkrimin e vendeve dhe njerëzve të njohur në udhëtimet e tij të shumta të kryera, për të cilat tregon në “Historitë”, pushtimi persian i Greqisë.

Jul Cezari – Kur flitet për luftën e përshkruar në libra, si mos të mendosh për veprimet e këtij romaku në fushatat e tij. Përveç “De bello Gallico”, ndoshta vepra e tij më e njohur, Cezari është edhe autor i një libri mbi Luftën Civile, “De bello civili”, dhe disa tregimeve sporadike, të përfshira në “Corpus Caesarianum”.

Nikolo Makiaveli – Historiani, shkrimtari, dramaturgu dhe politikani italian, që ka jetuar mes viteve 1400-1500, nuk ka folur për luftën vetëm në veprën e tij të famshme “Princi”. Makiaveli në fakt i ka dedikuar një reflektim të thellë këtij argumenti në “Mbi artin e luftës”, e shkruar në formën e dialogut me synim për “të vlerësuar nderin, për mos të përdhosur varfërinë, për të vlerësuar mënyrat dhe rregullat e disiplinës ushtarake, për të detyruar njerëzit për ta dashur njëri-tjetrin, për të jetuar pa etje, për të vlerësuar më shumë jetën private sesa atë publike”.

Sun Tzu – “Arti i Luftës”, padyshim një ndër manualet më antikë të strategjisë së historisë, ndër vite është transformuar në një tekst të vërtetë kulti për këdo që dëshiron të arrijë një objektiv në jetë. Filozofia e Sun Tzu është shumë e qartë: mënyra më e mirë për të fituar një luftë është se duhet ta sigurosh fitoren përpara se të nisësh të luftosh. Një objektiv i arritshëm, duke studiuar pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarit, duke ditur limitet e veta por dhe besimin në forcën e vet, duke befasuar në vazhdimësi armikun. Dhe mbi të gjitha, duke kontrolluar informacionet, sepse falë njohjes fati i betejës vërtet mund të shkruhet para nisjes së luftimit.

Emilio Lusu – Shkrimtarit italian (1890-1975) i shkon merita që ka treguar në mënyrë madhështore Luftën e Madhe, në romanin e tij “Një vit në pllajë”, e shkruar në vitin 1936, i shfaqur për herë të parë në Francë më ’38 dhe më pas në Itali në vitin 1945. Bëhet fjalë për një vit, qershor 1916-korrik 1917, kur sulmet e vazhdueshme, betejat absurde të iniciuara nga komandantë të mbushur me retorikë patriotike dhe vanitet, për episode shpesh tragjikë dhe ndonjëherë groteskë, përmes të cilave lufta tregohet në realitetin e tij me “përtaci e gjak”, me “baltë e konjak”. Me një stil të thatë dhe përshkrime historike, Lusu paraqet një rekuizitë të paepur kundër tmerrit të luftës pa tone polemike, duke i përshkruar me forcë dhe origjinalitet ndjenjat e ushtarëve, dramat e tyre, gabimet dhe veprimet çnjerëzore që do të çonin në disfatën e Kaporetos.

Ernest Heminguej – Shkrimtari dhe gazetari amerikan (1899-1961) ka treguar në librat e tij dramën e luftës dhe efektet e konfliktit mbi jetët e individëve të përfshirë. “Lamtumirë armë” është historia e dashurisë dhe e luftës që Heminguej kishte pasur gjithnjë dëshirë ta shkruante, i frymëzuar nga eksperiencat e tij në vitin 1918 në frontin italian, kryesisht për plagët e marra në Fosalta dhe pasionin për infermieren Agnes von Kurouski. Ndërsa në “Për kë bie kambana” është i riu intelektual amerikan Robert Jordan, vullnetar në ushtrinë antifashiste, i vënë në qendër të vëmendjes.

Italo Calvino – Shkrimtari italian (1923-‘85) ka qenë pjesë aktive e luftës partizane që e ka përmendur dhe në punët e tij. Në romanin e parë “Gjurmët e folesë së merimangës” konflikti tregohet përmes syve të Pin, një fëmijë i shkujdesur, që kaloi rastësisht nga lojërat e dhunshme të fëmijërisë në realitetin e egër të konfliktit. Bashkë me përmbledhjet e tregimeve bashkojnë elementet realistë me dellin e fantazisë, që më pas do të bëhet dhe karakteristika kryesore e të gjitha punët pasuese të Kalvinos. Botime Shqip – Elona Qose / KultPlus.com

Të ngjajshme