26 Dhjetor, 2017 - 9:26 am
Në ditët e fundit të këtij viti shkrimtarët akuzojnë Ministrinë e Kulturës për mungesë vëmendje, promovimi dhe ndihme për krijimtarinë. Nuk është hera e parë që ata i drejtohen Ministrisë së Kulturës, që sipas tyre nuk ka bërë atë që prisnin autorët shqiptarë. Por dhe në ditët e fundit të këtij viti ata i kujtojnë Ministrisë së Kulturës, që është krijuar një sistem i tërë që sjell probleme.
Shkrimtarët Pandeli Koçi dhe Vasil Premçi vijnë në vijim të zërave kritikë ndaj politikave të ndjekura nga ministria. Shkrimtari Pandeli Koçi pohon se vitin që vjen duhet të mendohet për më tepër projekte në ndihmë të autorëve shqiptarë.
“Presim që të kemi më shumë projekte nga Ministria e Kulturës vitin që vjen për autorët dhe krijimtarinë, sa më shumë vëmendje edhe nga MAS për botimin e librave për lexim jashtëshkollor, të vihet sërish bordi i MAS, i cili do jetë në ndihmë të mësuesit për ti rekomanduar nxënësve librat që duhen për edukimin e tyre letrar. 2017 po mbyllet me mosinteresimin për letërsinë për fëmijë, pra mungoi vëmendja e duhur gjë që u pasqyrua dhe në panairin e librit të këtij viti”, pohon shkrimtari Koçi.
Mosvlerësimin ai e shikon te mungesa e vëmendjes së letërsisë artistike.
“Në panair nuk u vlerësua asnjë libër letrar, por një libër biografik për fëmijë, nuk u vlerësuar libri letrar për të parë se ku është niveli i letërsisë për fëmijë në këto vite”, vijon ai.
Sipas shkrimtarit Koçi, i cili në aktivitetin e tij vijon me krijimtarinë letrare për të rritur edhe për autorët që nuk jetojnë më duhet të tregohet një kujdes për botimin e veprave.
“Për 2018 mirë është që librat dhe veprat e autorëve shqiptarë duhet të kenë tjetër vëmendje. Të ndihmohen më shumë përmes projekteve autorët shqiptarë sigurisht ata që janë më të njohur dhe kanë zhvilluar krijimtari letrare që herët, por që edhe vijojnë ende me sukses. Të ketë politikë nxitëse dhe për autorët e rinj në krijimtari, zhvillim konkursi, etj. Por njëkohësisht për autorët që nuk jetojnë si Pjetër Arbnori, Pano Taçi, etj, që nuk patën mundësi në kohën e diktaturës të botonin librat e tyre duhet të rikujtohen, vepra e tyre të bëhet sa më popullore. Pra sot me keqardhje shikoj që kemi problemin e një harrese të dhimbshme ndaj këtyre vlerave të njerëzve që i kushtuan jetën letërsisë. U nda nga jeta Kasëm Trebeshina, kush ka qenë kujtuar për veprat e tij”, thotë shkrimtari Pandeli Koçi.
Një sistem me probleme
Me të njëjtin qëndrim është dhe autori Vasil Premçi. Sipas tij ndërsa po lihen edhe autorë të vlerësuar në harresë në letërsi, nga ana tjetër po marrin merita emra vetëm pse kanë mbështetjen e ministrisë.
“Ne habitemi, ndjehemi si të tromaksur kur dëgjojmë libra të pamerituar, që kanë një dorë shtetërore që i vë ata në piedestal. Por për ato vlera të pamerituara, jepen edhe çmime të pamerituara. Shkrimtarët punëtorë në përgjithësi janë të dënuar, përjashtuar nga promovimi, vlerësimi i ministrisë. Autoritetet shtetërore që duhet të shohin me dylbi vlerat dhe ti mbledhin, por bëjnë sikur nuk shohin. Më shumë pres dhe e them me ironi nga Babagjyshi i Vitit të Ri se sa nga ajo ministri që është e Kulturës”, pohon shkrimtari Premçi.
Nuk është hera e parë gjatë këtij viti që shkrimtarët kanë kërkuar mbështetje dhe promovim për autorët e njohur, por sipas Vasil Premçit është një sistem i tërë me probleme, shkruan SotNews. “Nuk janë mbështetur autorët shqiptarë. Që nga formulimi i ligjeve, ndihma për botim, e deri te shtija në treg e librave, kanë vënë barriera të jashtëzakonshme. Është faji i gjithë sistemit. Edhe në 2018 nuk pres ndonjë ndryshim. Janë rregulluar gjërat midis burokracisë shtetërore dhe shtëpive botuese, që gjërat të rrjedhin në favor të tyre, por jo në atë të shkrimtarit, i cili nuk mundet dot ti gëzohet suksesit të tij. Është ndërtuar një sistem i tillë që sjell probleme me librin, nuk na intereson emri në ministri se kush po drejton, por sistemi i cili sjell gjithë problemet”, përfundon në reagimin e tij shkrimtari./ KultPlus.com