Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha sjell librin “Ofelia nuk kthehet më”

14 Shtator, 2019 - 11:00 pm

Doli na shtypi libri më i ri me poezi, “Ofelia nuk kthehet më…” i shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha.

Ky libër sikur është sublimë e këndimit të veçantë e këtij krijuesi, i cili kësaj radhe, në këtë vepër opinionit dhe lexuesit i ka ofruar veçantinë e themeltë të së bukurës, të dhembjes dhe lumturisë, shenjtërisë të tokës dhe atdheut, e cila ka një histori, që edhe poezia e përjetëson dhe e bën tharm të këngës, mall, dhembje e hidhërim, të cilat aq bukur komunikojnë në mes vete për ta bërë ngritur në piedestal mesazhin dhe metaforën, edhe si peshë, edhe plagë…

Për atë, autori edhe na i ofron vargjet si zë qortues por edhe me kuptimin e thellë filozofik e shumë dimensional: “…Pëlcit si kokrra e kripës/Që mallin ma ngarkove/Si shpatë që pret e vret…”!

Në librin më të ri, “Ofelia nuk kthehet më…”, poezitë ndërlidhin edhe historinë dhe periudhat kohore, të cilat, duke i lexuar ato, sikur shndërrohen në roman apo edhe në ngjarje historike, që vargun e bëjnë me peshë, joshës, por edhe e “reshin” me plot pyetje që vështirë u jepet përgjigja. Për këtë, edhe vetë poezia “Ofelia nuk kthehet më…”, të cilin titull e mban edhe libri, ndoshta tek lexuesi, përveç përjetimit të thellë e plotë ryse, hapë edhe shumë kapituj të së bukurës dhe të madhërishmesh të shoqëruar me dhembje e ndoshta edhe me tragjedi: “…Ofeli/Atëherë do të bindemi/Sa larg është e vërteta/Sa rrenë ka jeta…”!

Në këtë libër, në të cilën sikur shkrimtari dëshiron të na bëjë me dije për përmbylljen krijuese, ai na i sjellë edhe dy-tri mendime të miqve dhe krijuesve për krijimtarinë së tij:

“Miku im, je i madh si njeri dhe si krijues.

I gjunjëzohem burrërisë dhe krijimtarisë tënde. Zoti ta shpërbleftë mundin dhe uroj që gjithmonë të kesh harmoni me vetveten dhe me familjen…” (Adem Zaplluzha, qershor 2019)

“Njerëzit e shenjtë e dinë rëndësinë e vendit të shenjtë! Ka fat ai vend ku shkelë këmba jote aty…”! (Sadik e Remzije Isufi, qershor 2019)

“Për punën tuaj të vazhdueshme krijuese, studimore, për evidentimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave etno-kulturore të trevës së Pejës, ju duhet të ishit shpallur me kohë qytetar nderi i këtij qyteti…”! (Agim Bajrami, shkrimtar nga Durrësi, 25 qershor 2019)

Ndërsa, në ballinë, me arsye na ofron edhe këtë mendim të vetin: Vlerat shpirtërore, kulturore, letrare dhe historike, kanë peshë fondamentale për kombin. Ashtu është edhe me letërsinë, artin dhe me teatrin, të cilave që në rini të hershme u qëndrova besnik. Këto madhështi kombi u përpoqa t’i bëj të pavdekshme, i lavdërova, i afirmova, por edhe i qortova dhe luftova të gjitha t’i shndërroj në përjetësi. Çdo ngjarje e pjesë të historisë ta përjetësoj, dhe si të tilla t’ia ofroj popullit, dashamirëve të kulturës, kombit dhe më gjerë…!

Libri “Ofelia nuk kthehet më…” është vepra e 41-të e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Ndërsa, redaktorë të librit janë: Prend N. Buzhala (Kosovë) dhe Iliaz Bobaj (Athinë), kurse recensentë janë: Agim Mato (Sarandë) dhe Agim Bajrami (Durrës). /KultPlus.com

Të ngjajshme