8 Nëntor, 2022 - 7:00 pm
Kazuo Ishiguro (石黒 一雄; lindur më 8 Nëntor 1954) është shkrimtar britanik me origjinë japoneze. U lind në Nagasaki, Japoni dhe në moshën 5-vjeçare u shpërngul bashkë me familjen e tij në Angli. Në vitin 1978 diplomoi në Universitetin e Kentit, dega Gjuhë Angleze dhe Filozofi, kurse më 1980 kreu studimet Master në drejtimin shkrim kreativ.
Ishiguro konsiderohet si një nga shkrimtarët më të shquar të sferës anglishtfolëse, i nominuar katër herë për çmimin Man Booker, të cilin arriti ta fitojë më 1989 me romanin “Mbetjet e ditës”. Romani i tij Mos më lër të shkoj (2005), u vlerësua nga Revista Times si romani më i mirë i vitit 2005, dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze nga 1923 deri 2005.
Në vitin 2017 fitoi Çmimin Nobel për letërsi me motivacionin: “në romane që përshkohen nga një fuqi e madhe emocionale na e ka zbuluar humnerën që fshihet pas ndjesisë së rreme të lidhjes sonë me botën.”
Ndonëse në dy romanet e para të Ishiguros ngjarjet zhvillohen në Japoni, në disa intervista ai ka sqaruar se nuk ka ndonjë familiaritet me të shkruarit japonez dhe që veprat e tij kanë fare pak ngjashmëri me prozën japoneze. Në një intervistë të vitit 1989, përderisa po fliste për prejardhjen japoneze dhe ndikimin e saj në edukimin e tij, mes tjerash tha,”unë nuk jam krejt si anglezët sepse jam rritur dhe edukuar nga prindër japonezë në një shtëpi ku flitej japonisht. Ata nuk e dinin që ne do të rrinim në këtë vend kaq gjatë, ata ndjenë përgjegjësi të më mbanin në kontakt me vlerat japoneze. Unë kam një sfond të veçantë. Unë mendoj ndryshe, kam një botëkuptim pakëz më ndryshe.”
I pyetur për identitetin e tij, ai u përgjigj:
Njerëzit nuk janë dy të tretat diçka, e pjesa tjetër diçka tjetër. Temperamenti, personaliteti ose botëkuptimi nuk ndahen ashtu. Pjesëzat nuk ndahen aq qartë. Ju përfundoni me një përzierje homgjene qesharake. Njerëzit me prejardhje kulturore të përzier dhe me prejardhje racore të përzier do të bëhen gjë e zakonshme në fund të këtij shekulli. Në atë drejtim po shkon bota.
Në një intervistë të vitit 1990, ai u shpreh: “Sikur të shkruaja nën një pseudonim dhe dikush tjetër të pozonte në vendin tim për fotografinë e kapakut të pasëm të librit, jam i sigurt se askush s’do të thoshte, “ky tipi më kujton filan shkrimtar japonez.” Ndonëse disa shkrimtarë kanë pasur një ndikim të largët –në mesin e tyre Ishiguro e përmend Tanizakin më së shumti- Ishiguro ka thënë se më shumë kanë ndikuar tek ai filmat japonezë, posaçërisht ata të Yasujirō Ozu dhe Mikio Naruse.
Një numër i romaneve të tij janë të vendosura në të shkuarën. “Mos më lër të shkoj” ka disa veçori të fanta-shkencës dhe një ton futurist; sidoqoftë, është e vendosur në vitet e 1980-ta dhe 1990-ta dhe zhvillohet në një univers paralel shumë të ngjashëm. Romani i katërt, “Të pangushëlluarit” zhvillohet në një qytet anonim të Evropës Qendrore. / KultPlus.com