Shkrimtari në luftë

14 Korrik, 2022 - 12:32 pm

Nga Ibrahim Berisha

Rrallë shkrimtarët e njohur drejtpërdrejt merren me politikë, ndërkohë që nuk pushojnë të jenë të angazhuar me idetë e tyre sociale e kulturore, që tërthortë e nxijnë apo e kundërta, e ndihmojnë humanizimin e politikës. Rasti i Kosovës është shumë i freskët, dëshmues për mosabstenim human, kur thuaja shkrimtarë të mëdhenj si Markes, Ljosa, Mihnik, Miler, Eco, Gordimer, Ruzhdi, Havell, Gras etj., ishin plotësisht të përfshirë në përkrahje të shqiptarëve dhe kundër politikës së krimit të regjimit të Millosheviqit. Idetë intelektuale-humane të shkrimtarëve ishin të fuqishme për të krijuar opinionin, eh, por dihet, jo edhe sa vetë goditja 78 ditëshe e NATO-s mbi forcat dhe qendrat e krimit serb.

Lexon dhe mendon se si shkrimtarët shohin me sytë e të tjerëve, kuptojnë botën me mendje të të tjerëve, tregojnë çfarë ka ndodhur, po ndodhë dhe do të ndodhë. Shih, këto vargje të poetit ukrainas, Serhiy Zhadan:

Gratë u ngjitën burrave të vet në valle sikur të kundërshtonin lejimin e nisjes së tyre në luftë.

Ukrainë Lindore, fundi i mijëvjeçarit të dytë.

Bota ding me muzikë e me zjarr.

Në errësirë zgjohen zërat e peshqve fluturues dhe të kafshëve që këndojnë.

Raporti shkrimtari shoqëria, shkrimtari politika dhe shkrimtari pushteti nuk hiqet nga tryeza publike e ditës. Rasti i sulmit të ushtrisë ruse në Ukrainë, sërish, trazon  shkrimtarët kudo në botë. Shkrimtarët përmes një solidariteti universal me popullin ukrainas dhe kundër krimeve të ushtrisë ruse, qenë ndër më të zëshmit kudo që munden të ngrenë zërin. Letra e qindra shkrimtarëve nga gjithë bota, e PEN organizatës botërore të shkrimtarëve, dhe të PEN-eve nacionale, janë një tregim i ri për angazhimin e vjetër, nëse jo politik, por human dhe kulturor të tyre.

Do të jetë kështu, siç ishte, sa të ketë shkrimtarë dhe sa të ketë politikë. Edhe sa të ketë ambicie për të shkatërruar dhe zhdukur qytetërime bazuar në dallime.

Një burim i superioritetit të francezëve ndaj ne anglezëve qëndron në pozitën e shkrimtarëve tuaj. Unë në Paris kam takuar d’ Alamberin, Marmontelin, Bajian në sallonet e artistokrateve më të njohura ky ishte një respekt i madh edhe për shkrimtarët edhe për aristokratet. Shkrimtarët tanë anglezë jetojnë të vetmuar në kabinetet e tyre me pluhur. Kështu gjithë jeta e tyre kalon në të errët, e pikëlluar, plot punë, larg çdo shkëlqimi. Kur dikush te ne nis të merret me shkrimin e librit, mendohet se ka hequr dorë edhe nga shoqërimi me njerëz që e drejtojnë vendin edhe nga njerëzit që janë të gëzuar”. Ky është dialogu ndërmjet një anglezi dhe një francezi dhënë nga Stendali në esenë “Shkrimtari anglez dhe francez në raport me shoqërinë” që e botoi në fillim të shekullit 19. Ky raport social i shkrimtarit francez me atë anglez edhe sot e kësaj dite nuk ndryshon shumë.

Në këtë kontekst, ku është shkrimtari shqiptar? Në sallone, kabinete apo në mes salloneve dhe kabineteve. Në të tri ngapak. Apo në asnjërën nga këto tri sado që iluzionon se është dhe merr frymë në dritën e parfumeve, apo ushqehet nga konvertimi fiktiv publik  d.m.th., politik. 

Marrëdhënia sociale e shkrimtarit zakonisht vrojtohet në tre dimensione: raporti shkrimtari – shoqëria, së dyti shkrimtari- politika dhe së treti, shkrimtari- pushteti.

Numër i madh i shkrimtarëve, edhe sot  nuk heqin dorë nga të qenit apo edhe nga identifikimi me shoqërinë, e kuptuar si zë i tyre, mes qytetar, etnik, religjioz, ekonomik, etj., i cili tregon si duket  “njeriu i duhur”. Kosova është jo pak e mbuluar nga ky prodhim. Shkrimtarët, artistët mediokër përgjithësisht, duke u ndjerë superiorë në frikën dhe pasigurinë e tyre intelektuale, gjejnë armën e fuqishme, fjalën e madhe, atdheun dhe popullin, për të siguruar status respekti politik. Shtylla e kapjes dhe logjika e kategorisë së tillë të krijuesve bazohet në faktin se mungesën e elitizmit intelektual e mbulon me etnopatriotizëm, me zhurmë dhe piskamë, buçitje dhe arrogancë. Madje arroganca vyrtyt i qenësishëm i akademizmit dhe publikes. Burim statusi. S’ka ku shkon më keq se kjo.

….

Nisemi nga vlerësimi i filozofit Karel Kosik se “politika nuk është as art dhe as shkencë, por lojë për pushtet dhe me pushtetin. Kjo lojë nuk është argëtim, por një çështje deri në vdekje e rëndësishme dhe për këtë shkak shumë më tepër në të paraqiten vdekja, fanatizmi dhe kalkulimet se sa humori dhe qeshja”, atëherë raporti shkrimtari –politika është fare i ndryshëm nga ai raporti i përhershëm shkrimtari – shoqëria. Për një studim më të plotë dhe ekzakt gjithsesi duhet definuar vijën ndarëse ndërmjet raportit politika-shkrimtari dhe shkrimtari që mund të ketë veprimtari politikën, që është edhe politikan. Është vështirë të gjendet shkrimtar pa angazhimin shoqëror, madje ka fare pak edhe pa ndonjë referencë politike. Referenca politike shprehet edhe kur shkrimtari nuk thotë gjë për vlerat, proceset dhe ngjarjet shoqërore. Heshtja si e tillë, është shumë shpesh mesazhi i distancimit nga doktrina politike që zbatohet në një vend. Kjo ka ndodhur edhe në botën shqiptare dhe shembull ekzemplar janë Lasgushi, Kuteli etj.

Pastaj raporti më i komplikuar dhe më i vështirë social është ai shkrimtari-pushteti. Pushteti që është një formë e të disponuarit dhe manifestim i afërsisë dhe i forcës, madje edhe shoqërore, gjatë gjithë historisë së shkrimit. Ka tërhequr shkruesit dhe krijuesit me ofertën e gjerë në njërën anë dhe kërcënimin, shpesh të pakufishëm, në anën tjetër. Po më shumë tani mund të jetë interes hulumtimi raporti ndërmjet pushtetit si ofertë, benefit, çmim, privilegj, ligj oportun, honorar i dhënë drejtpërdrejt apo tërthortë se sa kërcënim, apo kufizim i lirisë së krijimit.

Nëse shkrimtari është pjesë e sistemit pushtetor, kjo jo rrallë ndodhë me konvertim të vazhdueshëm kur kontrollon kuletën e shtetit, ai atëherë është edhe pushtetar, zyrtar dhe mashtrues. Ndërkohë, nuk  do harruar se një shkrimtar mund të jetë politikan pa qenë i përfshirë në organizime të drejtpërdrejta politike apo edhe duke qenë larg pushtetit.

Në rastin më pozitiv, për të referencuar këtë raport politika- shkrimtari do të shërbehemi me mendimin e filozofit gjerman, Sheling, i cili kishte vlerësuar se, nëse qytetërimi ka pasur një progres dhe ai është realizuar duke shfrytëzuar idetë që kanë prodhuar intelektualët, përvojat janë ndryshuar, mbasi shpirti dhe natyra, janë dy polet e një identiteti. Pra, gjithçka në këtë botë të kulturës politike zhvillohet larg moralitetit. Thënë më thjesht, raporti politika- shkrimtari është raporti kultura dhe moraliteti, i përkthyer jo rrallë, kur forca e pushtetit deformon në imoralitet.

Problemi tjetër është përmbajtja estetike. Kur vepra ka shumë politikë brenda përmbajtjes që pretendon estetiken, atëherë ka patjetër pak art letrar. Nëse ka shumë art letrar në angazhimin e shkrimtarit, atëherë ka patjetër pak politikë.

Një nga më të njohurit sociolog të letërsisë në shekullin XX, Lisien Goldman, ka mbrojtur pikëpamjen se për nga vetë natyra, shkrimtarët bëjnë pjesë në kategorinë e problematikëve, mbasi ata gjithherë synojnë vlera që ngrihen mbi standardet, jo vetëm letrare, por edhe shoqërore e politike. Andaj, si rrjedhojë e kësaj prore ekziston një konflikt që të shumtën mbetet në rrafshin e konfliktit të ideve me praktikën shoqërore, pushtetin.

….

Në kohët e politikës moderne, në vitet ’30-të tashmë të shekullit të kaluar, ka pasur një orientim më të madh të shkrimtarëve nga e majta. Ideali i humanizmit dhe i barazisë së proklamuar nga e majta, kishte joshur shumë shkrimtarë gjermanë, frëngë, spanjollë, italianë, latino-amerikanë etj. Kjo kishte filluar të ndodhë edhe me shkrimtarët shqiptarë. Madje, një identitet i tillë humano-politik, mendohej se e ndihmonte kundërvënien ndaj totalitarizmit, që atëherë si i padurueshëm shikohej kryesisht vetëm fashizmi në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Kjo ndarje shkrimtarëve shqiptarë u kushtoi shumë shtrenjtë pas vitit 1944 kur pjesa dërrmuese e tyre me botëkuptim të djathtë ose u ekskomunikuan ose edhe u pushkatuan. Një pjesë madje iku jashtë atdheut.

Por, pas viteve ’50-të të shek. XX, praktika totalitare ende më e ashpër se  fashizmit, praktika komuniste në Rusi dhe në vendet e okupuara nga ajo, nxiti shumë nga shkrimtarët e majtë të bëheshin revoltues dhe të ktheheshin nga e djathta politike. Iluzioni se po krijohej një shoqëri humane, pa të shfrytëzuar dhe pa represion, u zhduk kur u mor vesh për kampet e mëdha të përqendrimit nëpër të gjitha shtetet socialiste. Totalitarizmi komunist shkatërroi paragjykimet për mundësinë e “botës së drejtë”.

Intelektualët kryesisht i takonin të majtës politike, por tani është gjendje e ndryshuar, kur pjesa më e madhe e intelektualëve të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës, i përkasin të djathtës politike, vlerësonte Botomore, duke u marrë me përcaktimet politike të intelektualëve në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Të jesh sot shkrimtar i majtë apo i djathtë nuk paraqet asfare rëndësie dhe asfare përparësie a mangësie. Provohet megjithatë një kapitalizim edhe i situatave politike në letërsi. Por të jesh pushtetar dhe shkrimtarë, kjo është një çështje fare tjetër. Në një ambient atipik kulturor dhe publik, aq më kaotik intelektual, siç është Kosova, favoret për shkrimtarin rrjedhin nga përkatësia dhe afërsia me pushtetin, me klientelat politike. Një ndjekje kjo e vërejtshme ndaj të gjitha pushteteve dhe klientelave për të mbajtur favoret e ndërtuara mbi arritje e lavde fiktive. 

Shekulli XX, ka shënuar dy praktika globale, në të cilat janë detyruar të punojnë dhe jetojnë shkrimtarët. Jeta dhe puna në shoqëri totalitare, ku shkrimtari domosdoshëm ka qenë i kufizuar qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthortë dhe ku gjithë hapësira publike dhe institucionale ishte e ideologjizuar. Në shtetet demokratike, shkrimtari kishte përparësinë e zgjedhjeve të ideve dhe temave që do t’i shkruajë dhe do t’i botojë duke qenë vetë krijues i teknikave që i përdorë. Përgjegjësia për veten e tij ishte shumë më e madhe.

Nëse i referohemi Kosovës në këtë thjerrëz, atëherë kohezioni publik ishte i diktuar për të parë shkrimtarët dhe intelektualët, si shpëtimtarë. Angazhimi i shkrimtarit dhe intelektualit në përgjithësi, është i shumë i fortë në shoqëritë me probleme, me thyerje, siç ishte Kosova. “Vetëm në vendet e pazhvilluara tashti intelektualët paraqesin elitën kohezive, me primesa radikale, dhe ata luajnë një rol në jetën politike”, shkruan Botomore. Pra, parë nga ky kënd, elitat kohezive, është paraqitje tipike për shoqërinë shqiptare dhe shkrimtarët e viteve ’90-të në Kosovë.

Çështja e veçantë e diskursit në shkrimin më të ri të letërsisë shqiptare, është një fenomen, që burimi mund t’i gjendet në refleksionet posdiktatoriale në Kosovë dhe postkomuniste në Shqipëri. Realizmi socialist, modernja, postmodernja?! Në thelbin e realizmit socialist, që ishte shumë i pranishëm në letrat shqipe, fatura poetike funksion primar kishte propagandën ideologjike. Edhe realiteti edhe historia u shtroheshin synimeve për të indoktrinuar politikisht. Calinescu tërë këtë prani letrare në botën e Lindjes e ka definuar si parodi të vetëdijes estetike.

Në këtë rast, sa ka qenë i dobishëm shkrimtarët, intelektualët, që janë marrë praktikisht me propagandën a politikën? Thuaja si një, kanë pasur probleme për t’i kuptuar drejt ata që dikur ishin lexues të tyre dhe në rrethanën e re i kanë të humbur po këta lexues.

Te shkrimtarët që synuan apo zunë poste shtetërore u pa hapur prirja që nga retorika mashtruese politike të zbritet në autoritarizëm, prandaj kjo nga sociologë të letërsisë është sqaruar si keqkuptim i ligjeve të artit që nuk mund të zbatohen dhe as nuk funksionojnë në politikë. Vetmia e artit dhe vetmia e shkrimtarit.

Fiksioni i shkrimtarit politikan është shumë herë larg realiteti. Injoranca e shkrimtarit, zakonisht është shumë më e madhe se injoranca që prodhon popullizmi, meny e zakonshme e shkrimtarëve dhe intelektualëve mediokër.

Stacioni më i preferuar ku ndalet treni i kësaj ambicie është kiçi. Madje, me fenomenin e kiçit politik nuk janë marrë vetëm sociologë dhe studiues të psikologjisë sociale, por edhe shkrimtarë dhe në këtë kontekst do përmendur Oruellin, veçmas veprën e tij shumë të njohur “Ferma e derrave”. Pushteti totalitar shërbehet plotësisht me kiçin, e hijeshon realitetin sa kjo hijeshi arrin ta bëjë ideal gjithë procesin ireal. Kiçi politik krijon iluzionin se tërë liria  e një shoqërie është e lidhur me fatin e një, apo disa individëve – prijës. Iluzioni krijon kiç-karizmin e personalitetit, i cili  pastaj nuk mund të pranojë kritikën, diskutimin racional dhe as ndryshimin e gjykimit se është më i mençuri i botës. Kiçi nuk mbetet vetëm në përkatësinë e prijësit, por edhe të strukturave të tjera duke bërë që individët, të kënaqen me vetveten, me shkathtësitë dhe bëmat, që i konsiderojnë të pamundura për t’u realizuar nga dikush tjetër.

Boris Akunjin, shkrimtar ruso-gjeorgjian, kaq mund të bëj për atë që po ndodhë në Rusinë e Putinit dhe në Ukrainën e sulmuar nga ai: E di që Putinlandia dhe Rusia nuk janë një dhe e njëjta gjë, por tani nuk ka asnjë ndryshim për gjithë botën. Ndihem i tmerrshëm për ukrainasit. Ndihem i tmerrshëm për rusët përgjegjës që janë nën sundimin e maniakëve. Ndihem i tmerrshëm edhe për rusët e mashtruar, të cilët tani do të gëzohen. Më 24 shkurt 2022 filloi një epokë e re për të gjithë. E tmerrshme. Sa do të zgjasë dhe sa viktima do të duhen?

Kështu ka ndodhur gjithmonë. Të përgjegjshmit janë ndier të tmerruar, dhe të pandërgjegjshmit krenarë me krimin, pushtimet dhe propagandën e luftënxitjeve.

Shqiptarëte kanë të freskët këtë propagandë të shkrimtarëve serbë zjarrvënës dhe  strukturë aktive e krimit që viste shqiptarët, boshnjakët, kroatët, nisur nga Dobrica Qosiq, presidentit të Jugosllavisë së Millosheviqit,  1992/1993, kur ndodhi gjenocidi në Bosnje dhe dhuna masive shtetërore ndaj shqiptarëve në Kosovë. Madje në këtë kohë. Ky baba serb shkrimtar avokoi hapur për ndarjen e Kosovës.

Edhe kështu,  shkrimtarët provojnë të tregojnë si ka qenë si është dhe si do të jetë bota. Këtë e bënë edhe poetja ukrainase, Natalka Bilotserkivets, kur shkruan për dashurinë në Kiev:

Është shumë më e tmerrshme dashuria në Kiev sesa

Pasionet e shkëlqyeshme veneciane. Fluturat

Fluturojnë lehtas me pika drite si qiriu-

Flatrat e shndritshme të vemjeve të vdekura ndizen!

Këtu nuk merr fund dashuria e tmerrshme e Kievit sot, sikur dje që nuk mori në Prishtinë, pardje në Sarajevë. E nesër, mund të mos marrë fund as në ndonjë kryeqytet tjetër të Evropës.

Shkrimtari postmodern rus, Vladimir Sorokin, e nxjerrë çmimin e krimit të një të marri, siç është Putin: Është turpi ynë, por fëmijët tanë, brezi i rusëve shumë të rinj dhe ende të palindur, fatkeqësisht do të duhet të mbajnë përgjegjësinë për të. Ne nuk duam që fëmijët tanë të jetojnë në një shtet agresor, të turpërohen sepse ushtria e tyre sulmoi një shtet fqinj të pavarur. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Rusisë që t’i thonë jo luftës.

Por, lufta vazhdon dhe do të vazhdojnë luftëra tjera, ndërsa shkrimtarët do të shkruajnë pa mundur të shlyejnë atë që kishte thënë George Santayana, poeti dhe prozatori spanjollo-amerikan se vetëm të vdekurit shohin fundin e luftës. / KultPlus.com

Të ngjajshme