30 Maj, 2023 - 3:06 pm
Shkrimtarja e njohur Lea Ypi do të jetë mysafire e Universitetit të Tetovës, më 31 maj në ora 11:00, shkruan KultPlus.
Lea Ypi është një prej figurave më kuptimplote e botës akademike shqiptare edhe pse funksionon jashtë botës shqiptare. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe profesoreshë e filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Evropian.
Me studimet e saj ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Lea Ypi është zgjedhur ndër dhjetë mendimtarët më të mirë në botë sipas Prospect Magazinë 2022. Ka dhënë mbi njëqind leksione si e ftuar, duke përfshirë Universitetin e Çikagos, Princetonit, Yales, Harvardit, Stanfordit, Kembrixhit, Oksfordit, Parisit, Romës, Frankfurtit, Berlinit, Pragës, Uppsalas, Barcelonës, Oslos, Montrealit, Torontos, Pekinit, Kiotos dhe Melburnit.
Lea Ypi është bërë e njohur së fundi edhe si autore e një libri që del jashtë kornizave të profesionit të saj primar. Libri i saj autobiografik “Free”, ose në shqip “Të lirë”, ka zgjuar interesim të madh kudo ku është botuar dhe hedhur në treg. Libri është botuar në anglisht, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare dhe është vlerësuar lartë nga kritika ndërkombëtare./ KultPlus.com