6 Maj, 2018 - 12:30 pm
Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka ndarë me miqtë e saj në rrjetet sociale lajmin e rëndë dhe të trishtë, të ndarjes nga jeta në një moshë fare të re, në lule të rinisë, të djalit të saj të vetëm, pas një sëmundje të rrallë që e kishte prekur kohët e fundit.
Shkrimtarja pohoi se ceremonia mortore do të mbahet me një rreth të ngushtë familjar e shoqëror në Utrecht të Holandës, vend ku jetonte prej vitesh djali i saj.
Miqtë e mi,
Mbrëmë, në një orë të vonë të natës, u nda nga jeta Biri im i vetëm, Jerin van den Brink, në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, nga e cila vuajti kohët e fundit. Nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranoj humbjen e qenies më të dashur që pata, dhe kam, mbi këtë dhé. Me drojën se nuk do të mësohem kurrë me mungesën e tij, uroj të dëgjoj vetëm lajme të mira prej jush. Sipas dëshirës së Jerinit, ceremonia e lamtumirës do të mbahet me një rreth të ngushtë familjar e shoqëror në Utrecht të Holandës, ku im Bir jetonte prej disa vitesh, pas një fëmijërie të gjatë në Shqipëri. Për miqtë e mi në Shqipëri, do të jem në Atdhe përgjatë muajit qershor.
Flutura