19 Nëntor, 2018 - 4:30 pm
Flogerta Krypi është shkrimtarja që reagoi kundër ministres Mirela Kumbaro për gjendjen në të cilën ndodhet sot arti e kultura në Shqipëri, e veçanërisht mungesa e vlerësimit për shkrimtarët dhe për librin në tërësi.
Teksa u vlerësua me çmimin e inkurajimit në Panairin e Librit, Krypi tha se ajo nuk mund ta kapërdinte faktin se në vendin e lindjes së saj, nuk ka një makineri për të tharë librat e përmbytur në Bibliotekën Kombëtare, proces i cili kryhet me tharëse duke dëmtuar edhe më shumë librat.
Shkrimtarja theksoi se problemi i saj nuk është aspak personal me Kumbaron, por secili duhet të japë më të mirën në shërbim të Kulturës së vendit.
“Unë nuk kam asgjë personale me zonjën Kumbaro, mendoj se ka ardhur koha që njerëzit t’i thonë gjërat ashtu siç janë, për të folur me figura letrare ne kemi librat. Në çdo vend të botës artistët funksionojnë përmes kontratave dhe vlerësohen për punën që bëjnë.
Unë kam një vit që nuk kam ardhur në Shqipëri, dhe erdha për Panairin e Librit. Unë nuk mund të shtirem sikur ky nuk është vendi im, ky është dhe problemi më i madh që unë kam me familjen, të cilët më thonë ‘’ç’punë ke ti, ti jeton atje në Gjermani”, por nuk mund të jetë më kështu. Ja ndodhi një fatkeqësi dhe u përmbytën, po pse nuk përdoret Buxheti i Ministrisë së Kulturës për të blerë makineri të posatshme për tharjen e librave, po ky proces bëhet me tharëse flokësh?!
Secili prej nesh duhet të japë sa më shumë të mundet nga vetja e vetë për kulturën e vendit. Mua më intereson që në këtë vend libri të trajtohet ashtu siç e meriton, një shqiptari i duhet të punojë dy ditë vetëm për të blerë një libër”, u shpreh Krypi.
E pyetur nga gazetari Bledian Koka për arsyet që e detyruar të largohej jashtë vendit, Krypi u shpreh se një 23-vjeçare në Shqipëri, i duhet të bëjë jetën e një 40-vjeçare në një vend tjetër të botës.
“Kur më pyetën para dy vitesh për të rinjtë që iknin nga Shqipëria, thashë se ata që ikin janë frikacakë, ndërsa tashmë kam ikur dhe unë. Ika sepse u lodha nga ky vend, vjen një moment që nuk mund të durosh dot më. Je 23 vjeç dhe të duhet që të jetosh sikur të ishte një 40 vjeçare”, u shpreh ajo.
Ndërkohë që lidhur me shprehjen e Kumbaros për të tërhequr lexuesit drejt librave, Flogerta Krypi tha se si përkthyese ministrja mund të gjente një formë tjetër për të shmangur keqkuptimet që mund të krijoheshin në përkthim.
“Zonja Kumbaro është përkthyese dhe ajo e di shumë mirë që mund të kishte një interpretim të ndryshëm nga ai që ajo ka dashur që të nxjerrë. Fare mirë ajo mund ta kishte shmangur këtë, ka forma shumë herë më pozitive për të afruar njerëzit me librin, duke nisur një imazh më të mirë lidhur me Bibliotekën Kombëtare. Ne jemi më keq edhe se Siria që ka 7 vite që është në luftë, dhe ka një ligj që kërkon që librat të mos preken.
Unë shkruaj për veten, të gjitha brengat që unë kam, unë dua që të gjej një mënyrë që t’i nxjerr jashtë, pasi ndryshe mund të çmendem.
Nuk pati asgjë të jashtëzakonshme pas deklaratës sime, ata e dinin shumë mirë që unë nuk jam njeriu që do thoshte ‘’ua faleminderit’’. Sigurisht që u gëzova për vlerësimin, po unë e thashë që para se të merrja çmimin doja të thoja atë shqetësim që e kisha prej kohësh.
Forma më e mirë për të protestuar është ajo përmes letrave, shpresoj që brezi i ri të marrë guximin dhe të shkruajë lidhur me problematikat e këtij vendi”, u shpreh më tej shkrimtarja Krypi.