7 Dhjetor, 2019 - 12:14 pm
Ghada Arnaut (Xhada Arnauti) është një nga kandidatet për kryeministre të Libanit. Ajo ka një biografi të pasur, duke qenë emër i njohur në Liban dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa dekadat e fundit ishte larguar në ekzil në Kanada. Xhada Arnauti është shkrimtare, drejtuese e mediave liberale dhe shkencëtare në Universitetin e Albertas në Kanada.
Ajo konsiderohet si një zë i rëndësishëm kritik në mbrojtje të të drejtave të njeriut, për demokracinë dhe kundër qeverive të trashëguara diktatoriale. Xhada Arnauti në një prononcim për gazetën ”INA”, ka konfirmuar se është propozuar për postin e kryeministrit pas tërheqjes së Sadi Haririt, i cili ka qenë në shënjestër të kritikave dhe sulmeve nga protestat që nuk po ndalen rrugëve të Libanit.
“Po është e vërtetë. Ditët e ardhshme do t’ju konfirmoj të ardhmen time se a do të jem kryeministre e Libanit”, theksoi Xhada Arnauti. Ajo pranoi se ka origjinë të pastër shqiptare dhe se nuk heziton të flasë për këtë, sepse nuk i ka harruar rrënjët që ka. Kandidatura e saj është nominuar nga koalicioni i ri qeverisës dhe se ajo do të kthehet në Liban për të qeverisur të rinjtë që kanë pushtuar rrugët e Bejrutit.
Siç mësohet nuk është vetëm Xhada Arnauti që identifikohet me Libanin, pasi ishte edhe Pashko Vasa guvernator i Libanit në periudhën e perandorisë osmane (1883-1892). /KultPlus.com