Shkupi nderon Faik Konicën me pullë postare, autore një maqedonase

21 Nëntor, 2017 - 9:26 am

Në prag të Kongresit të Manastirit, Shkupi promovoi pullë postare me figurën e Faik Konicës. 75 vite nga vdekja e këtij personaliteti shqiptar, në tirazh prej 6000 ekzemplarësh dhe me vlerë nominale prej 18 denarësh, do të jetë pulla e re postale.

Promovimi u bë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë. Me këtë rast u hap edhe ekspozita e përhershme me figurat e kombit shqiptar.

Skënder Asani nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve theksoi se është bërë një punë e madhe bashkë me filatelinë, si organ i brendshëm i postave. Sipas tij, kjo duhet të jetë shembull edhe për institucionet tjera shtetërore.

“Është një punë kolosale, që institucionalizon historinë, traditën dhe kulturën shqiptare, në këto treva. Dhe do të jetë shembull për shumë institucione tjera se si duhet vepruar, në pozicion që e merr një opozionar, se si duhet punuar”, tha Asani.

Autore i kësaj pulle postale është Larisa Zhivkovska-Donev nga Byroja e Filatelisë.

Sipas drejtorit të Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi, pullat postale janë ambasadorë të cilët përfaqësojnë historinë dhe kulturën e kombeve nëpër botë, përcjell TeSheshi.com.

“Pullat postale në vetvete ngërthejnë dy komponenta të rëndësishme: e para është me karakter komerical dhe e dyta komponentë jo më pak e rëndësishme, është se përfaqëson medium të llojit të vet, si për operatorin postar, ashtu edhe për shtetin”, u shpreh drejtori i Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi./ KultPlus.com

Të ngjajshme