3 Prill, 2024 - 6:16 pm
Në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit u ndanë sot vlerësimet për fituesit e këtij viti të Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj.
Juria, e kryesuar nga Dom Gjergj Meta, me anëtarë Blendi Salaj e Brajan Sukaj, vlerësoi mes 9 dorëshkrimeve veprat: “Purple 2”, “Laku i Plakut” dhe “Vëllim me poezi”.
Shkrimtari Ermal Lala për romanin “Purple 2”, shtëpia botuese “Albas” me motivacionin: “Për rrjedhshmërinë e një rrëfimi që përfshin problematika shoqërore të brezit të ri”.
Andris Lleskai për librin me poezi “Laku i Plakut”, shtëpia botuese “Emal” me motivacionin: “Për poezi që synojnë gjetjen e shtigjeve të reja në figuracion dhe për imazhet që ndërton përmes vargjeve”.
Bujar Hoxhaj për librin me poezi “Vëllim me poezi”, shtëpia botuese “Dudaj” me motivacionin: “Për poezi që prekin tematika të ndjeshme të bashkëkohësisë dhe për një varg të ndërtuar mbi themele të letërsisë dhe kulturës botërore”.
Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. Në këtë aktivitetet të QKLL ishin të pranishëm shkrimtarët Ylljet Aliçka e Bashkim Hoxha, shkrimtarë të rinj, si dhe nxënës të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
QKLL u uroi suksese shkrimtarëve fitues Ermal Lala, Andris Lleskai, Bujar Hoxhaj si edhe gjithë autorëve të tjerë pjesëmarrës në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj./atsh/KultPlus.com