Shpallen fituesit e krijimtarisë për fëmijë, Elva Margariti rikthen Çmimin Kombëtar

31 Korrik, 2019 - 4:00 pm

Pesë vepra fituese dhe një Çmim Kombëtar, që i rikthehet letërsisë për fëmijë. Dje, në ambientet e Ministrisë së Kulturës u shpallën 5 fituesit e Fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë”. Mes 27 aplikuesve, juria përzgjodhi pesë veprat më të mira në kategoritë poezi, roman, rrëfenja, përrallë, libër didaktik.

Juria e përbërë nga shkrimtarë, përkthyes dhe studiues: Lili Sula, Virgjil Muçi, Erion Kristo, Rovena Rrozhani dhe Suela Bala, shqyrtoi veprat kandidate, teksa emrat e autorëve kanë qenë të fshehur pas kodesh numerike. Juria u njoh me emrat e fituesve vetëm pasi ishte dorëzuar dhe firmosur lista e fituesve.

Dhe ata janë Gaqo Bushaka, babai i përrallës shqiptare, por që këtë vit shpallet fitues me vjersha, Viktor Canosinaj, Luan Rama, Rudina Çupi dhe Hysen Kobellari.

Duke i dorëzuar çmimin shkrimtarit Gaqo Bushaka, për të cilin u shpreh se kishte qenë ndër më të dashurit e fëmijërisë së saj dhe po ia përcillte edhe së bijës, ministrja Elva Margariti do të shprehej se “Përpara se të hapnim fondin për krijimtarinë letrare, kisha dëgjuar shpesh nga shkrimtarë, botues, por edhe prindër për një mungesë të krijimtarisë letrare për fëmijë që flasin shqip. Nga njëra anë, shkrimtarët që ankoheshin se Ministria e Kulturës nuk i mbështet dhe nuk e nxit krijimtarinë letrare për fëmijë dhe nga ana tjetër, prindërit që ankoheshin për mungesën, por edhe cilësinë, që lë për të dëshiruar të kësaj letërsie. Andaj vendosëm që, pikërisht në ditën e fëmijëve, 1 Qershor, ne të hapnim këtë fond, duke ua dedikuar pikërisht atyre. Impakti ka qenë tepër pozitiv. Kemi pasur mbështetjen e të gjitha palëve dhe jam e kënaqur për pjesëmarrjen e lartë, për mënyrën e përzgjedhjes dhe emrat e nderuar që qëlluan të ishin mes fituesve. Jam besimplotë që kjo eksperiencë do të vijojë. Mbështesim jo vetëm shkrimtarët, por nisim krijimtarinë e mirë dhe qasim lexuesin e ri. Mendoj se fushata më e mirë e nxitjes së leximit është në faqet e një libri të mirë”, u shpreh Margariti.

1

Ndër të tjera, ajo ndau me të pranishmit edhe lajmin e rikthimit të Çmimit Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë.

“Dikur, mes shumë çmimeve të tjera letrare, akordohej një çmim për krijimtarinë për fëmijë, por që më pas u hoq. Gjej rastin t’ju them se ne do ta rikthejmë atë Çmim Kombëtar si një nxitje permanente dhe të qëndrueshme për këtë lloj letërsie, e cila për mendimin tim ka një rol kyç në edukimin e brezit të ri. Dashuria për leximin ngjizet në vitet e para të jetës dhe një libër i mirë mund ta bëjë këtë”.

Përkthyesi Erion Kristo, anëtar jurie, u shpreh se nuk bëhet fjalë për një konkurs, por për politika për librin për fëmijë. Ai e quajti risi mbështetjen nga ana e Ministrisë së Kulturës të kësaj krijimtarie dhe autorëve për fëmijë.

67402789_2377174419192823_7134966359795957760_n

Studiuesja Lili Sula u shpreh se kjo ishte mënyra më e mirë për të sjellë vepra serioze. Ajo tha se, nëse e edukojmë sot brezin e ri me letërsi të mirë shqipe, nesër do të kemi një lexues të mirë, studentë të mirë dhe qytetarë të mirë. Suela Bala pohoi se nuk mund të merremi me lexuesin nëse më herët nuk do të merremi me shkrimtarinë për fëmijë. “Nëse do të dimë t’ua servirim mirë materialin, do të rrisim fëmijë të mrekullueshëm”, tha ajo, me shpresën që kjo përvojë të vijojë edhe më tej.

Për shkrimtaren dhe gazetaren Rovena Rrozhani, letërsia për fëmijë është shumë e rëndësishme në formimin e një fëmije, ndonëse kjo lloj krijimtarie nuk është mbështetur sa duhet. Madje, në panairin e nëntorit juria nuk e pa të udhës të ndante çmim për këtë kategori. Fituesit e pranishëm u shprehën falënderues, jo thjesht e vetëm për faktin se ishin ata fituesit e përzgjedhur, por që Ministria e Kulturës ndërmori një nismë në mbështetje të letërsisë për fëmijë.

FITUESIT DHE MOTIVACIONET

Fiton në kategorinë Poezi Gaqo Bushaka, me motivacionin: “Për mjeshtërinë e vargëzimit të thjeshtë shumë afër botës fëminore, me tingëllim melodik, pastërti gjuhësore dhe larmi tematike”.

Fiton në kategorinë Rrëfenja Hysen Kobellari, me motivacionin: “Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të një trashëgimie folklorike që kemi nevojë ta kultivojmë te fëmijët tanë si pasuri identitare”.

Fiton në kategorinë Përrallë Rudina Çupi, me motivacionin: “Për kurajën e një narrative me peshë të lartë përmbajtjesore për fëmijët, që e sfidon dhe edukon lexuesin me inteligjencën e humorit dhe frymën e lojës, duke kthyer në vëmendje FJALËN”.

Fiton në kategorinë e Librit Didaktik Luan Rama, me motivacionin: “Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike, përmes kultivimit artistik të dijes dhe vlerave kombëtare për fëmijët, me një ligjërim të zhdërvjellët e të ilustruar bukur”.

Fiton në kategorinë Roman Viktor Canosinaj, me motivacionin: “Arrin të mbajë zgjuar interesin e lexuesit të ri, duke ruajtur brenda një strukture të pastër konceptuale dhe gjuhësore ligjërimin artistik grishës dhe formues njëkohësisht”. /Panorama/ KultPlus.com

Të ngjajshme