19 Maj, 2018 - 3:51 pm
Juria e çmimit Kadare, e cila çdo vit ndahet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës është mbledhur sot për të seleksionuarit 10 autorët që do të kalojnë në fazën finale. “Juria e çmimit Kadare u mblodh sot për të vendosur 10 autorët që do të garojnë për çmimin e madh. Pas një diskutimi mbi autorët dhe veprat konkurruese u vendos që vetëm 10 prej tyre të garojnë për çmimin e madh”, tha Alda Bardhyli, koordinatore e çmimit Kadare. Sipas saj, në përzgjedhjen e 10-të autorëve juria ka qene pothuajse unanime, duke i parë si veprat që mbartin gjithë elementët e duhura që duhet të ketë një vepër letrare.
“Tashmë konkursi Kadare ka hyrë në një fazë tjetër. Juria do të mblidhet sërish ditën e martë më 22 maj për të vendosur 5 finalistet, e këtij çmimi”, thotë Bardhyli. Juria e çmimit Kadare këtë vit kryesohet nga Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe dhe në përbërje janë emra të njohur të letrave si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili. “Ky konkurs i rëndësishëm për letërsinë shqipe kulmon me Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë të cilët këtë vit do ti bashkohen një konference shkencore me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare. Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”,- thotë Bardhyli.
Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autorë shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition. Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku.
Vera Bekteshi – Një rrugë e gjatë pa krye roman
Zija Cela – Dialli komik roman
Virgjil Muci – Piramida e shpirtrave roman
Gazmend Krasniqi – Triologjia e Shkodrës roman
Sokol Thana – Guvernatori i shtëpisë së vogël roman
Rudina Cupi – Shenjat e pikësimit roman
Thanas Dino – Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi roman
Alion Çaçi – Tregime të Rinisë tregime
Bashkim Hoxha – Një ditë si Skëndërbeu roman
Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë roman.