23 Nëntor, 2024 - 10:12 pm
Nga Agim Vinca
Pas librit të saj të parë, “Do vij me hijen e erës” (2020), Ajne Ibërhysaj del para lexuesve me vëllimin e saj të dytë poetik Gravurë me ngjyrat e kohës. Sikurse edhe në librin e parë, edhe këtu Anja vazhdon të shpalosë në vargje botën e saj intime, dashurinë për jetën dhe dhimbjen për humbjen e njerëzve të saj të dashur, pa lënë mbas dore as përkushtimin për atdheun.
Poezia e Ajne Ibërhysajt nuk është poezi e mjeshtërisë a zanatit, por e ndjesisë dhe përjetimit të çastit. Fjalë kyçe e poezisë së saj është fjala shpirt, ndërsa togfjalëshat: “dridhjet e shpirtit”, “britmë shpirti”, “psherëtimë shpirti” e të tjerë të ngjashëm, shfaqen shpesh në vargje edhe si tituj vjershash, që, herë-herë, ngjajnë si variacione të njëra-tjetrës.
E tërë poezia e Ajnes është një vërshim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat poetja i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë. Po qe se bëjmë një krahasim me fenomenet e natyrës, do të thoshim se rrëfimi poetik rrjedh lirshëm, ashtu siç ndërrohen stinët e motit, siç bien gjethet në vjeshtë dhe siç rrjedhin ujërat e lumenjve. Edhe pikat e shiut që lëshojnë retë dhe lotët që rrjedhin nga sytë janë pjesë e kësaj “gravure”.
(Të themi në parantezë se titulli i librit: Gravurë me ngjyrat e kohës i përgjigjet përmbajtjes së veprës: frymës së përgjithshme dhe në mënyrë të veçantë përbërësve të saj ideotematikë dhe
gjuhësorë-stilistikë).
Ndoshta bukuria e kësaj poezie qëndron pikërisht këtu, te kjo natyrshmëri, që është shprehje e botës së pasur shpirtërore të poetes dhe e përvojës së saj jetësore. Në harmoni me këtë përcaktim është edhe fjalori i kësaj poezie, si dhe motivet e saj, që, edhe kur duket se largohen në mitologji (Troja, Prometeu, Sizifi, Itaka), i qëndrojnë besnikë kohës dhe mjedisit që i ka lindur.
Edhe kur ndeshet me ftohtësinë e rrethit, poetesha jonë përpiqet ta zbusë atë me ngrohtësinë e ndjenjës, të tingujve e ngjyrave, që nuk e lënë indiferent për asnjë çast lexuesin. Duke i lejuar vetes ta mbyllim këtë fjalë të shkurtër në mënyrë pak a shumë të figurshme, metaforike, do të thoshim se lirika e Ajne Ibërhysajt ka shpirt dhe kolorit: ajo i ngjan një kopshti shumëngjyrësh, ku secili gjen diçka pas shijes së vet.
Prishtinë, 25 qershor 2024/ KultPlus.com