17 Mars, 2018 - 1:17 pm
Libri “Një ditë në natën pa fund” (Dafinat e Thara) të Kasëm Trebeshinës, shkrimtari ka shkrirë talentin dhe tërë inspirimin e jetës.
Në këtë libër vijnë kujtime dhe reflektime përmasash deri dhe filozofike të Kasem Trebeshinës, disidenti shqiptar, të cilat sjellin kohën dhe hapësirën e pafundme koministe dhe besimin se do të vijë së shpejti dita e lirisë. Ky libër vlerësohet si një dëshmi e shkruar që ka lënë autori para se të ndahej nga jeta.
Po e sjellim këtu një copëz nga ky libër i Trebeshinës, shkrimtarit të cilit këtë vit i kushtohet Stenda shqiptare në Panairin e Librit në Lajpcig.
Kjo është historia e jetës sime. Vazhdimin e saj do ta gjeni në shkrimet e mia, se, që nga viti 1955, e lashë pikturën mënjanë dhe u mora tërësisht me letërsi…
Tashti, si çdo njeri tjetër në Shqipëri, edhe unë jam i dënuar me burgim të përjetshëm. Që me rrezen e parë të agimit dhe gjer në muzg të gjithë jemi të detyruar të shohim vetëm bunkerët e kotë, piramidat dhe sfinkset e Enver Hoxhës… Dhe askush nuk mund ta parashikojë dot fundin e kësaj mbretërie të terrorizmit absolut, sepse Shqipëria është një vend i humbur, sepse shqiptarët janë një popull i humbur, pa një shtresë të vërtetë udhëheqëse, të dënuar të enden përjetësisht në një rreth të mbyllur…
Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!… Ju mos e bëni më të padurueshme, gjer në shkatërrim!…
Dhe mos harroni!… Diktaturat nuk i kemi lënë pas!… Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!…
Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…
Lamtumirë!…
Kasëm Trebeshina
Cilësohet si personazh problematik, veprat, thëniet dhe qëndrimet e të cilit kanë ndjellur mjaft debat.
Pohimi i origjinës së vet nga ana e shkrimtarit në komunikim publik dhe në veprën “Dafinat e thara”, në bashkëshoqërim me lëndën narrative të romanit “Mekami”, ka ndjellur disa publicistë, të cilët duke i peshuar mjetet e tij shprehëse si “fyerje raciste ndaj shqiptarëve” e krahasuan me Mein Kampf-in e Adolf Hitlerit apo Veprat e Enver Hoxhës