Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino

25 Maj, 2022 - 1:17 pm

Autorët dhe veprat më të mira të letërsisë bashkëkohore shqiptare, të botuara në gjuhën italiane të pranishme edhe këtë vit në stendën e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 34-të, i cili u zhvillua në Torino të Italisë. Salloni është ngjarja më e rëndësishme letrare e vendit fqinj.

 Katër pavionet e panairit, ku përveç shtëpive të mëdha botuese ekspozojnë edhe qindra botues të vegjël, vizitohen çdo vit nga qindra mijëra vizitorë. Pjesëmarrja e Shqipërisë me një stendë të posaçme mundësohet tashmë prej dhjetë vitesh nga Qendra e Kulturës Shqiptare (www.centroalbanese.it), një prej organizatave më të mëdha e më aktive të bashkësisë shqiptare, në Itali dhe BE.

Sipas njoftimit, stenda e Shqipërisë në edicionin e vitit 2022, që konsiderohet nga organizatorët si më i madhi i të gjitha kohërave, ofroi për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese italiane. “Krahas veprave të autoreve best-seller si Anilda Ibrahimi, që botohet në Itali nga shtëpia botuese elitare Einaudi, pjesë e grupit të madh Mondadori, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët vijojnë të jenë edhe veprat kryesore të Kadaresë, që po ribotohen gradualisht nga shtëpia botuese La Nave di Teseo, e drejtuar nga Elisabetta Sgarbi, motra e kritikut të njohur të artitVittorio Sgarbi.

Spikasin gjithashtu edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Mimoza Hysa, Bashkim Shehu apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht. Në vëmendjen e publikut italian një vend krejt të veçantë vijojnë të kenë edhe autoret Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat shkruajnë drejtpërdrejtë në gjuhën e shtetit fqinj”, thuhet në njoftimin e qendrës. Në vijim të veprimtarive,  shkrimtarja  Lea Ypi paraqiti përballë lexuesve të sallonit versionin në gjuhën italiane të librit të saj “E Lirë” (Libera). Gjatë ditëve të para të këtij edicioni të panairit stenda e Shqipërisë është vizituar, ndër të tjera edhe nga ministri i Kulturës i Italisë Dario Franceschini, presidenti i rajonit të Piemontit Alberto Cirio, kryetari i Bashkisë së Torinos, Stefano Lo Russo, etj. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme