20 Tetor, 2017 - 9:00 am
Hulumtimi i gjuhës shqipe në Beograd është kryer bashkërisht nga hulumtuesit e Institutit Ballkanologjik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe doktorantët nga Katedra për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd.
Kjo është pjesë e një projekti më të gjerë që studion praktikat e shumëgjuhësisë në Beograd dhe që, krahas gjuhës shqipe, përfshin edhe gjuhën hungareze dhe atë rumune. Andaj, qëllimi i studimit është i shumëfishtë: krahas përcaktimit të statusit të gjuhës shqipe, duam të nisim një dialog rreth Beogradit si një qytet shumëgjuhësor dhe shumetnik, në të cilin, në hapësirat publike, gjuhët e pakicave ende janë të padukshme. Rasti i gjuhës shqipe është i ndjeshëm për shoqërinë, sepse në statusin dhe përdorimin e saj në mënyrë të theksuar ndikon edhe konflikti serbo-shqiptar në Kosovë.
Folësit e shqipes në Serbi: regjistrimet
Statistika zyrtare e Republikës së Serbisë, posaçërisht regjistrimet e popullatës, janë burimet kryesore për vlerësimin e numrit të folësve. Por, regjistrimet, siç e ka theksuar Fuko, janë mjet i rëndësishëm i pushtetit, që nuk shërben vetëm për të regjistruar një gjendje, por edhe kontribuon në krijimin e identitetit; bazuar në këto, elita e shtetit krijon njohurinë për një popullatë dhe e kryen kontrollin administrativ të saj. Rezultatet e regjistrimit janë posaçërisht jokredibile në zonat e shënuara nga konflikte dhe kriza etno-politike, që gjithsesi është rasti me Serbinë dhe pakicën e saj shqiptare.
Dy, përkatësisht tri bashkësi etno-linguistike në Serbi e përdorin gjuhën shqipe si gjuhë të tyre brenda komunitetit: shqiptarët etnikë, egjiptianët dhe/apo ashkalinjtë. Në fakt, ashkalinjtë dhe egjiptianët janë folës të gjuhës shqipe, të cilët pjesëtarët e grupeve të tjera etnike i konsiderojnë si romë, derisa ata veten e shohin si komunitete të veçanta. Përqendrimi më i madh i folësve të gjuhës shqipe, nëse nuk e marrim parasysh Kosovën, është në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që kufizohen me Kosovën; numri i pjesëtarëve të kombësisë shqiptare më 1991 bazohet në vlerësim, dhe madje vetëm në komunat e Preshevës dhe Bujanocit. Numri më i madh i folësve të gjuhës shqipe sesa numri i shqiptarëve në regjistrime shpjegohet me egjiptianët dhe ashkalinjtë. Kjo diferencë është posaçërisht e vërejtur në Beograd, ku numri i folësve të gjuhës shqipe është dy herë më i madh sesa numri i shqiptarëve etnikë.
Në regjistrimet e Republikës së Serbisë në periudhën 1948-1981 ishte e përfshirë edhe Kosova. Meqë shumica e popullatës shqiptare në Serbi i ka bojkotuar regjistrimet e viteve 1991 dhe 2011, ekzistojnë variacione të shumta mes viteve 1981 dhe 1991, dhe mes viteve 2002 dhe 2011. Numri i shqiptarëve në Beograd është rritur ndjeshëm në periudhën 1960-1980, dhe madje falë klimës më të favorshme politike dhe zhvillimit industrial të RSFJ-së. Në anën tjetër, në periudhën 1990-2011 numri reduktohet, posaçërisht për shkak të krizës politike në Kosovë dhe marrëdhënieve dramatikisht të përkeqësuara mes serbëve dhe shqiptarëve. Mund të supozojmë se numri i të regjistruarve në vitet 2002 dhe 2011 është shumë më i vogël falë mimikrisë etnike; fakt është se shqiptarët në Serbi shpeshherë deklarohen si goranë.
Folësit e gjuhës shqipe në Serbi: institucionet
Institucionet shqiptare gjenden në jug të Serbisë, ku jeton numri më i madh i shqiptarëve etnikë. Sipas regjistrimit të vitit 2002, në këto tri komuna janë regjistruar 57.737 folës të gjuhës shqipe; shumicë absolute ata përbëjnë në Preshevë (97 %) dhe Bujanoc (62 %), ndërsa në Medvegjë janë një e treta (28.67%). Edhe pse etnikisht të përziera, komunat e Bujanocit dhe Preshevës dallohen me shkolla monoetnike në të cilat mbizotëron segregacioni etnik – në shkolla serbe shkojnë serbët dhe romët, ndërsa në ato shqipe shkojnë shqiptarët; këtu nuk bëjnë pjesë vetëm fshatrat Relan dhe Birçë, ku në shkolla mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, edhe në atë serbe. Në Komunën e Medvegjës mësimi zhvillohet edhe në gjuhën serbe, edhe në atë shqipe, në kuadër të të njëjtave shkolla.
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, sipas raportit të Këshillit Nacional Shqiptar, nuk është në nivel të kënaqshëm, që do të thotë se nuk është në pajtim me ligjet shumë të përparuara për mbrojtjen e pakicave dhe gjuhëve të pakicave, të cilat Serbia i ka miratuar. Megjithatë, duhet theksuar se shpërputhja mes rregullativës së përparuar ligjore dhe zbatimit të ligjeve është tipar i të gjitha shteteve të Evropës së Mesme dhe asaj Juglindore. Përfaqësuesit e Këshillit Nacional Shqiptar ia zënë për të madhe administratës së shtetit këtë: deri sot nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe ligjet më të rëndësishme republikane; ekstraktet nga librat amë janë kryesisht në gjuhën serbe; simbolet e institucioneve shtetërore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë të shkruara vetëm në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik, etj.
Hulumtimi socio-linguistik
Bazuar në mostrën prej 50 të intervistuarve, janë mbledhur shënime interesante: mes tjerave, shumica absolute e të intervistuarve e ka përmendur pikërisht Katedrën për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe të Fakultetit Filologjik në Beograd si të vetmin vend, krahas xhamisë së Beogradit, në të cilin gjuha shqipe përdoret në hapësirën publike, dhe si të vetmin vend të mbledhjes së folësve të gjuhës shqipe në publik. Dhe jo vetëm kaq: të intervistuarit thonë se vetëm në Katedër mund të gjejnë çfarëdo literature në gjuhën shqipe apo të takojnë njerëz me të cilët kanë interesime të përbashkëta. Rezultatet e tilla flasin pikërisht në favor të asaj që Katedra në dy dekadat e fundit ka mbetur i vetmi vend i tubimit për shqiptarët, albanologët dhe albanofilët në Beograd. Që të kuptojmë se çka në fakt na thotë ky shënim, është e duhur që shkurt t’i kthehemi zhvillimit të albanologjisë në Serbi dhe të përshkruajmë strukturën e studimeve në katedër.
Albanologjia në Serbi dhe historia e themelimit të Katedrës
Njëri prej albanologëve të parë serbë ka qenë Vuk Stefanoviq Karaxhiqi, i cili ka mbledhur dhe botuar dymbëdhjetë këngë dhjetëshe të transkriptuara jo fort mirë në alfabetin cirilik, ndërsa në botimet e tij të Fjalorit ka përfshirë edhe termet arbanas, arbanaski, arnautluk, dhe ngjashëm, si dhe shpjegimet për dialektet gegë dhe toskë. Iniciativën që të niset studimi i “etnografisë, gjuhës dhe dialekteve të arbanasve dhe turqve ballkanas” e ka nisur Jovan Cvijiqi më 1907, kur si rektor i Universitetit të Beogradit është angazhuar që “linguistët tanë të hartojnë gramatikën dhe të mbledhin krijimtarinë e arbanasve”. Në vitet 1923-1926 Henrik Bariq ka botuar revistën shkencore “Arkivi për vjetërsitë arbanase” dhe më 1925 e ka themeluar Seminarin për filologjinë arbanase në Fakultetin Filologjik, në të cilin ishte drejtuesi i parë. Katedra për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe e vazhdon punën e saj prej vitit 1960 në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit, fillimisht si Seksion për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe, ndërsa tani si Katedër për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe.
Studimet në Katedrën për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe brenda një viti i nisin 10 studentë. Do të donim që shkurt të përshkruajmë planprogramin mësimor:
Hyrje në albanologji (2 semestra) – njohje me kulturën shqiptare;
Balkanologjia 1 dhe 2 – studimi i lidhjeve të ndërsjella kulturore dhe gjuhësore shqiptaro-serbe;
Gjuha shqipe (8 semestra) dhe Letërsia shqipe (6 semestra) – nxënia e gjuhës dhe letërsisë zhvillohet në kuadër të lëndës;
Gjuha bashkëkohore shqipe (8 semestra) – zhvillon kompetencat komunikuese;
Përkthimi – albanistika – arti i përkthimit me shkrim dhe me gojë;
Historia e gjuhës shqipe me dialektologjinë (dy kurse një -semestrore) – arritje e njohurive me rëndësi për komunikimin e përditshëm, marrë parasysh faktin se gjuha shqipe ndahet në dy dialekte, gegë dhe toskë, që në kuptimin formal-strukturor dhe semantik janë të ndryshme;
Metodika e mësimdhënies së gjuhës shqipe (dy semestra) – aftësim i studentit për të lidhur njohuritë teorike me praktikën e mësimdhënies.
Me marrëveshjen ndërshtetërore mes Serbisë dhe Shqipërisë është mundësuar këmbimi i studentëve të kuadrit me përvojë të shkollimit të lartë. Pas vitit 2007 janë angazhuar profesorë nga Shqipëria për të plotësuar mungesën e mësimdhënësve në Katedër.
Konkluzion: gjuha shqipe në Beograd në kontekstin e konfliktit në Kosovë
Në këtë artikull kemi dashur të theksojmë rëndësinë e Katedrës për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, kontributin e saj në zhvillimin e albanologjisë dhe arsimimit të ekspertëve nga kjo fushë. Nga vitet ‘90 të shekullit të kaluar, kur ndodh një rënie dramatike në marrëdhëniet politike serbo-shqiptare, Katedra përveç rolit arsimues merr edhe një rol shoqëror; ajo në fakt bëhet vend i vetëm i mbledhjes së njerëzve që janë të lidhur me kulturën shqiptare. Sa shumë kanë ndryshuar gjërat prej kohës së Karaxhiqit dhe sa shumë ne sot dimë për këto terme, flasin faktet se numri i albanologëve në Serbi mund të llogaritet me gishtat e njërës dorë, si dhe se vetëm aty-këtu mund të gjendet ndonjë pjesëtar i gjeneratës së vjetër për të cilin besa nuk është një term abstrakt antiserb, ndërsa Skënderbeu nuk është vetëm një hero shqiptar, por edhe emër i një konjaku kualitativ. Edhe pse marrëdhëniet serbo-shqiptare shpeshherë kanë kaluar nëpër kriza, gjithmonë ka mbetur një konstantë – mosnjohja/mosdija, nëse e përjashtojmë Kosovën dhe Metohinë, ku tradicionalisht të dy popujt kanë jetuar relativisht të njohur dhe të njoftuar mes vete.
Edhe tani, në fund, kthehemi sërish tek hulumtimi ynë. Në pyetjen nga pyetësori “A ju ka ndodhur që dikush t’ju japë vërejtje, t’ua tërheqë vëmendjen apo t’ju kërcënojë derisa flisnit shqip?”, 16 % e të intervistuarve u përgjigjen pozitivisht. Edhe pse përqindja nuk është tepër e madhe, më domethënës është fakti se për gjuhët e tjera, gjuhën hungareze apo rumune, për shembull, vetëm një i intervistuar ka thënë se ka pasur përvojë të pakëndshme për shkak të përdorimit të gjuhës hungareze në hapësirë publike. Në pyetjen “A ndikon konflikti në Kosovë në përkeqësimin e pozitës suaj apo a e vështirëson përdorimin e gjuhës shqipe në Beograd?”, 63% e të intervistuarve janë përgjigjur duke thënë “jashtëzakonisht” apo “deri diku”. Një numër shumë i madh i të intervistuarve – më shumë se 80% – thekson se në Beograd dhe Serbi ka pak apo aspak përmbajtje në gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare. Më shumë se gjysma e të intervistuarve konsiderojnë se njohja e gjuhës shqipe nuk sjell dobi në Beograd, ndërsa kjo përqindje është e kundërt në jug të Serbisë.
Të gjitha shënimet e përmendura tregojnë se gjuha shqipe ka një status të veçantë në Serbi, që është jashtëzakonisht negativ dhe i pafavorshëm. Nga hulumtimet në terren të ashkalinjve, mund të dëgjohet se ata janë të stigmatizuar brenda popullatës rome dhe popullatës shumicë serbe për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe shpeshherë përjetohet si gjuha e “tjetrit që është armik”. Ne konsiderojmë se statusi i gjuhës shqipe në Serbi është në lidhje të drejtpërdrejtë me (mos)përfaqësimin medial dhe politik të konfliktit në Kosovë, me ç’rast shqiptarët shfaqen pothuajse ekskluzivisht në kontekst negativ, i cili interpretohet si armiqësor për serbët dhe Serbinë. Mungesa e përmbajtjeve pozitive që lidhen me kulturën shqipe dhe shqiptarët flet në favor të asaj se marrëdhëniet serbo-shqiptare janë skajshmërisht të instrumentalizuara për shkak të luftës politike për Kosovën. Supozimi ynë është që gjuha shqipe do të kishte status të ngjashëm në Serbi si çdo gjuhë tjetër ballkanase sikur të mos ekzistonte konflikti në Kosovë. Fenomeni më i ri i martesave serbo-shqiptare në gjithë Serbinë është shembulli pozitiv i shfaqjes mediale të shqiptarëve në mjediset serbe kohët e fundit. Meqë bëhet fjalë për nuset nga Shqipëria, nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë me Kosovën dhe diskursi për shqiptarët jo vetëm se normalizohet, por ka edhe parashenja shumë pozitive.
Në fund, themelimi i Shoqatës së miqësisë serbo-shqiptare dhe Qendrës për Kulturën Shqiptare do të mundësonte diferencimin e institucioneve që promovojnë kulturën shqiptare. Të gjitha institucionet, përfshirë Katedrën, do të duhej të kontribuonin në njohjen e ndërsjellë të bartësve të kulturës serbe dhe asaj shqiptare, dhe për një qasje më komplekse ndaj marrëdhënieve serbo-shqiptare prej asaj që ofron lufta politike për Kosovën.
(Autorët e tekstit janë: Marija Mandiq, bashkëpunëtore e lartë shkencore në Institutin Ballkanologjik të ASHAS-së dhe stipendiste e Humboltit në Institutin për Sllavistikë në Universitetin e Humboltit në Berlin, Ana Sivaçki, e cila ka doktoruar në Katedrën për Albanologji në Fakultetin Filologjik në Beograd, dhe Valdete Osmani, doktorante në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i realizuar nga qendra “Multimedia” nga Prishtina, në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi, me përkrahjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe nga iniciativa PERFORM për përkrahje të shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor. Ky artikull është botuar në “Shtojcën për Kulturë” në “KOHA Ditore”, më 14 tetor 2017)