18 Janar, 2023 - 10:27 am
Agim Vinca
“Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”.
Në udhëtimet e mia nëpër botë, nuk ka vend ku nuk kam takuar shqiptarë. Vetëm në qytetin Sète (Setë) në jug të Francës, ku qëndrova këto ditë në festivalin poetik Zërat e Gjallë të Mesdheut, nuk po takoja dot. M’u duk pak e çuditshme kjo gjë, por thashë me vete: “Ky është një qytet i vogël, i veçuar, ku nuk paskan mbërritur ende bashkatdhetarët e mi”.
Po afrohej koha e kthimit, kur, ditën e fundit, derisa po shkoja në leximin që kisha në program atë ditë, tre vetë po vinin drejt meje dhe po më shikonin me një vëmendje disi të pazakonshme. Kur u afruan, dy prej tyre m’u drejtuan në frëngjisht: “A mund t’i flisni shqip këtij shokut tonë?”. “Po”, u thashë, “mund t’i flas atij dhe juve: Mirëdita!”. Njeriut me kapelë e me mjekër të bardhë a la Lenin, i shkëlqyen sytë. “Unë, tha, jam shqiptar, nga Kosova, por nuk di shqip!”. Gjer këtu asgjë e jashtëzakonshme: sa shqiptari i arratisur nëpër botë e ka humbur gjuhën. Disa, madje, jo vetëm atë. Njeriu që kisha përballë, rreth të gjashtëdhjetave, duket se ishte një nga ata: shqiptar që, për shkak të rrethanave në të cilat ka jetuar, e ka humbur gjuhën, por jo edhe kujtesën.
E pashë orën. Për pesë minuta fillonte takimi dhe iu drejtova tre burrave që kisha përballë, e në radhë të parë bashkatdhetarit tim shqiptar: “Mund të vini në rrugën këtu pranë, ku unë do të lexoj poezi shqip (të njëjtat aktorët i lexonin në frëngjisht) dhe, pastaj, pas takimit, mund të rrimë sa të doni e të bisedojmë bashkë”.
Ashtu edhe u bë. Pas takimit letrar, në të cilin lexuan dy poetë francezë, dy italianë, një poet frankofon nga Haiti dhe një shqiptar (unë, A. V.), u ula me njeriun të cilit ende nuk ia dija emrin, por e dija se ishte shqiptar dhe se jetonte këtu në Setë. E filluam bisedën, natyrisht në frëngjisht, tani vetëm. Mësoj se bashkëbiseduesi im është nga Kosova, se ka lindur në Prishtinë në vitin 1955 dhe se quhet Jusuf Shahini ose Shahin, si e shkruan ai mbiemrin e vet, ngaqë një kohë të gjatë ka jetuar në Turqi. Shtëpinë e kemi pasur, thotë, jo larg nga “hoteli i madh”, në qendër të Prishtinës. Nuk e di a mendon për Grandin e ndërtuar shumë më vonë nga koha kur ka lindur ai, apo për Bozhurin e dikurshëm, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ai është nga Prishtina dhe se rrjedh nga ato familje prishtinase, që i kanë pasur shtëpitë në qendër të qytetit. Familja e tij është shpërngulur nga Kosova për në Turqi në vitin 1956, në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, kur Jusufi ka qenë vetëm një vjeç e gjysmë.
Janë vendosur në Izmir. Atje është rritur dhe shkolluar (ka kryer studimet për grafist dhe merret me zanatin e tij, si thotë, por këtu jeton nga një restorant). Me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, që shpreh njëlloj vetironie, thotë dhe se i ka takuar lëvizjes marksiste-leniniste, e cila, në vitet ’70, ka qenë mjaft e përhapur në Turqi, veçanërisht në mesin e të rinjve. Pak më vonë, kur bisedën do ta vazhdojmë në restorantin e tij, do të thotë, me të qeshur: “Mua këtu më thërrasin Enver Hoxha!”. (Le të themi kalimthi se udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ka studiuar jo larg nga këtu, në Monpelje, që është rreth njëzet minuta larg nga Seta).
Bashkëbiseduesi im, njeriu me mjekër a la Lenin e me kaçketë të bardhë, që s’e heq për asnjë çast nga koka, flet qetë, ngadalë dhe disi rëndë, ndoshta ngaqë evokon të kaluarën e vështirë (të vetën dhe të familjes së tij), ose ngaqë i vjen rëndë që nuk di asnjë fjalë shqip. Madje, as përshëndetjen time në fillim të takimit letrar, shqip: “Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur!”, thotë se nuk e ka kuptuar dhe se nuk do ta dinte kuptimin e atyre fjalëve, po të mos i kisha thënë të njëjtat edhe në frëngjisht.
Herë pas here buzëqeshja e tij e lehtë, në fytyrën e mprehtë, pak të kuqe, shoqërohet edhe me një ndjenjë malli e mallëngjimi, në mos edhe faji. Është e pamundur të të mos kujtohet në këtë rast poçari i Dritëro Agollit, i poezisë së famshme me të njëjtin titull, i cili, në dyqanin e tij, në Stamboll, i hidhet në qafë bashkëbiseduesit të vet, turistit shqiptar që ka hyrë në dyqan të blejë një vazo për kujtim, duke e lutur që ta shajë dhe një herë shqip! “Ngjarja” është pak a shumë e ngjashme, veçse në këtë rast nuk zhvillohet në qytetin e madh e të zhurmshëm buzë Bosforit, por në qytetin e vogël e të qetë Setë në breg të detit Mesdhe, ku janë mbledhur poetë nga 35 vende të botës, kryesisht nga vendet e Mesdheut, por edhe nga Amerika latine (Argjentinë, Meksikë etj.) e Kuebeku, që flasin e shkruajnë në 18 gjuhë të ndryshme dhe që do të qëndrojnë plot tetë ditë këtu, nga 24 korriku deri më 1 gusht.
Personazhi i këtij shkrimi, prishtinasi i vjetër Jusuf Shahini, i cili është larguar përgjithmonë nga vendlindja e tij pothuajse sapo ka ardhur në jetë, i ka parë në qytet pllakatet me emrat e poetëve dhe të vendeve nga vijnë, e ka shfletuar librin me portretet e poetëve dhe programin e Festivalit, që u është shpërndarë të gjitha bizneseve në këtë qytet, i cili një javë të plotë jeton vërtet me poezinë dhe është nisur, bashkë me dy miq të tij francezë, për në zyrën e Festivalit për të takuar dikë që vjen nga vendi i tij i lindjes dhe që flet gjuhën e të parëve të tij.
Fati i familjes së Jusufit është i ngjashëm me atë të shumë familjeve të tjera shqiptare nga Kosova e Maqedonia, të cilat, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, por edhe më vonë, për shkak të presionit politik dhe gjendjes së vështirë ekonomike, braktisën vendlindjet e tyre dhe morën rrugën e mërgimit.
Babai im, thotë Jusufi, ishte komunist, kurse daja ballist. Që të dy mendonin se i shërbenin Kosovës: i pari, i bindur se socializmi do t’i zgjidhte të gjitha problemet e Ballkanit, përfshirë edhe çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar, kurse i dyti duke pandehur se me ndihmën e forcave hitleriane, do të mund të arrihej Republika Shqiptare e Kosovës, në të vërtetë bashkimi i saj me Shqipërinë. Luftë ishte dhe në luftë jo gjithmonë njerëzit dinë të orientohen drejt e të zgjedhin anën e duhur, kurse në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët këndej kufirit e pësuan edhe atëherë kur zgjodhën rrugën e vërtetë: atë të luftës kundër fashizmit. Kur lufta mori fund dhe erdhi “liria”, vazhdon Jusufi, daja ra në burg, kurse babai u përjashtua nga partia, sepse nuk deshi të ndahej nga motra e “armikut të popullit”, që ishte gruaja e tij dhe nëna e Jusufit të vogël, pothuajse të posalindur në një shtëpi të vjetër prishtinase, diku në qendër të kasabasë së dikurshme.
Në fillim rrëfimi i Jusufit ishte disi i ndrojtur, i rezervuar dhe ngapak fragmentar. E kuptueshme. Sapo jemi njohur dhe kemi përjetuar që të dy nga një befasi, secili në mënyrën e vet: unë që takova, më në fund, një shqiptar në Setë, në ditën e shtatë të qëndrimit tim këtu, kurse ai që po takonte një poet dhe intelektual shqiptar, që vinte këtu jo thjesht për vizitë, por për të ligjëruar shqip si i barabartë mes të barabartëve. Flasim në një gjuhë që për të dy ne është e huaj, sado që ai jeton në vendin ku flitet kjo gjuhë gati një çerek shekulli, kurse unë kam ardhur këtu vetëm për disa ditë, për t’u bërë pjesë e një manifestimi të madh e letrar e kulturor, festivalit poetik VOIX VIVES de Méditerranée en Méditerranée (ZËRA TË GJALLË nga Mesdheu në Mesdhe) dhe për t’u kthyer sërish andej nga kam ardhur dhe tek e kanë zanafillën vargjet e mia, që këtu, për çudi, hasën në një pritje të ngrohtë të publikut dhe të kolegëve poetë, e cila më befasoi, pak a shumë, edhe mua, autorin e tyre.
Derisa po bisedoja me Jusufin në bufenë e improvizuar të Zyrës së Festivalit, ku orë e çast parakalojnë njerëz, kryesisht poetë ngjyrash, pamjesh, gjuhësh, veshjesh e shprehish të ndryshme, por edhe anëtarët e vyeshëm të ekipit që kujdeset për mirëvajtjen e Festivalit, kryesisht vajza e gra, befas ia behu kolegia ime, poetja dhe arkeologia Edi Shukriu (ish-bashkëshortja e Ukshin Hotit), po ashtu pjesëmarrëse në festival, me të cilën punojmë tash dyzet e më shumë vjet në të njëjtin universitet – në Universitetin e Prishtinës.
Edi është nga Prizreni dhe flet ngapak turqisht, kështu që biseda bartet herë-herë edhe në këtë gjuhë. Edhe unë çoç ia them ndonjë fjalë, nga ato që kam mësuar në gjimnaz, rreth pesëdhjetë vjet më parë, nga bashkënxënësit e mi të qytetit apo edhe më vonë me rastin e ndonjë vizite në Turqi a diku tjetër ku flitet turqishtja.
Jusufi insiston të shkojmë në restorantin e tij, të hamë dhe të pimë diçka. “Drekë sapo kemi ngrënë, Jusuf”, i themi gati njëzëri, “kurse për të pirë edhe mund të pimë diçka”. Nisemi ngadalë në këmbë që të tre, duke shkëmbyer rrugës ndonjë fjalë. “Qenkeni ftohur”, i thotë Jusufi zonjës që kemi në mes. Ajo nuk e merr vesh, ngaqë nuk flet frëngjisht. “Jo”, i them unë. “Pi shumë duhan”. Dhe m’u kujtua vargu që shkroi Edi në koleksionin “Livre de pauvre” (Libri i të varfërve) të poetit dhe animatorit francez Daniel Leuwers, themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikës Letrare, që ka degë edhe në Prishtinë: “Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”. Danieli na luti të bëheshim pjesë e këtij koleksioni, i cili përbëhet nga gjithsej katër kopje me vargje të shkruara me dorë në karton dhe me ilustrimet e një piktori, të piktorit Thierry Lambert/ Tjeri Lamber, “artist autsajder”, siç prezantohet vetë dhe që ilustrimet i bën aty për aty, natyrisht pasi e kupton përmbajtjen e vargjeve. Unë shkrova një pjesë nga poezia lirike Kur jam me ty, kurse Edi vetëm vargun e cituar më lart.
“Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”.
Restoranti i Jusufit, Jusuf Shahinit, gjendet në rrugën Mario Roustan nr. 51 dhe e ka emrin “Ephese”, që është emri i vjetër i Izmirit, i kohës kur ky qytet ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe një nga qendrat e rëndësishme të saj. Tarraca e vogël ku zëmë vend sheh nga Kanali Mbretëror (Seta ka dy kanale të lundrueshme), që lidh detin me liqenin dhe quhet kështu për shkak se është ndërtuar në kohën e dinastisë mbretërore të Luigjëve. Si meny restoranti “Ephes” ofron specialitete turke, armenase dhe greke, edhe pse pronari i tij është shqiptar i lindur në Prishtinë. Duke gjerbur kafenë që na e servir Jusufi (është pasdite vonë dhe në restorant nuk ka njeri tjetër pos nesh), vazhdojmë bisedën. I çliruar pak nga emocioni i fillimit, Jusufi vazhdon rrëfimin për veten. Thotë se nga viti 1991 jeton në Francë, fillimisht në Lion, pastaj në Strasburg, kurse në vitin 2001 është vendosur këtu në Setë, ku ka zënë vend.
Po përse shqiptari Jusuf Shahini u shpërngul nga Turqia në Francë?
Në qoftë se babai i tij, ndonëse komunist me bindje, u shpërngul nga Kosova në Turqi për shkak të presionit të regjimit jugosllav, i biri i tij, Jusufi, iku nga Turqia në Francë shkaku i trysnisë së regjimit turk. Meqenëse si student i takonte lëvizjes revolucionare të proveniencës marksiste (tradita familjare e të qenit “i majtë”, do të ishte për të, sikurse edhe për babanë e tij, fatale), Jusufi u mor disa herë në polici, ku u keqtrajtua në mënyrë brutale, por i shpëtoi burgut, si thotë vetë, sepse nuk pranoi asgjë. “Nuk di. Nuk e njoh. Nuk kam ç’të them!” – thotë dhe shton: “Këto ishin përgjigjet e mia në zyrat e policisë turke”.
Marrjet në pyetje dhe keqtrajtimi fizik e psikik vazhduan me muaj e me vjet, derisa një ditë Jusufi mori një vendim të prerë: të ikte nga Turqia në Perëndim. Bëri ç’bëri, e kaloi Mesdheun dhe erdhi në Francë, ku jeton edhe sot me gruan e tij turke dhe dy fëmijët e rritur, djalë e vajzë. Djali student, vajza nxënëse e shkollës së mesme.
E pyes Jusufin: “A ke qenë ndonjëherë në Kosovë dhe përse nuk vjen më shpesh në vizitë në vendin e të parëve? Hijet e tyre enden ende në sokaqet e Prishtinës, në oborret e shtëpive, nën hijet e minareve, në gurët e kalldrëmit, në Tauk bashçe, në Gërmi. Kudo”. “Po, thotë, kam qenë. Vetëm një herë. Erdha në verë të vitit 1998 në Prishtinë. Gjendja ishte shumë e rëndë. Rrugët ishin përplot policë serbë. Njerëzit frikësoheshin të flisnin me mua. Si erdha, ashtu edhe u ktheva …”.
Pastaj, shton, shpërtheu lufta që tronditi botën dhe edhe ne këtu u përpoqëm të bënim diç për vendlindjen: të mblidhnim ndihma, të strehonim dikënd, të flisnim ndonjë fjalë për Kosovën dhe vuajtjet e saj në takimet me njerëzit. Dikush edhe në shtyp dhe në mediet e tjera.
Gjatë qëndrimit prej rreth një ore, shumë-shumë një e gjysmë me të, bashkatdhetari ynë i mërguar, që e ka harruar gjuhën e të parëve, njësoj si poçari i Dritëroit, mësoi disa fjalë shqipe: ”Mirëdita. Ditën e mirë! Mirupafshim!”. Sa për fillim kjo nuk është pak. Ndoshta pas këtij takimi, tek ai do të ringjallen zërat e humbur të gjuhës amtare, të strukur thellë në ndërdijen e tij./ KultPlus.com