22 Tetor, 2019 - 8:55 am
“Shtegtimi i shqipes në Europë” me autore Mimoza Hasani Pllana është një libër që brenda vetës ka mbledhur plotë njëzet e tetë intervistat e autores, nga njëzetë shtete të Europës me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, shkruan KultPlus.
Këto intervista janë publikuar me radhë edhe në gazetën online KultPlus, ndërsa tani do ta përjetojnë edhe promovimin në një libër.
Ky promovim do të mbahet sot në KultPlus Caffe Gallery, në ora 12:00.
Në këtë promovim do të flasin: Behar Gjoka, shkrimtar dhe studiues dhe Rusana Bejleri, albanologe.
Shkrimtari dhe studiuesi, Behar Gjoka është shprehur se libri “Shtegtimi i shqipes në Europë”, i autores Mimoza Hasani Pllana, hap një dritare të munguar të komunikimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare me botën. Nëpërmjet intervistave të bëra me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, të një dialogimi të hapur, ofrohet një pasqyrë e lidhjeve dhe mungimeve, të shqipes me Europën, mundësuar nga përkushtimi dhe aspiratat kërkimore të autores, si dhe është një sinjal se duhet zgjeruar studimi, gjer aty ku ka mbërritur kumbimi i shqipes.
Ndërsa, albanologia Rusana Bejleri ka thënë se “Gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare kanë nevojë për njohje në Europë dhe ky është një mision i vazhdueshëm për institucionet në trojet shqipfolëse dhe për intelektualët shqiptarë kudo që ndodhen.”
Libri u botua nga shtëpia botuese OLYMP në Prishtinë, 2019. / KultPlus.com