28 Gusht, 2023 - 10:23 pm
Shtëpia botuese “Dukagjini” bëhet anëtare e plotë e rrjetit EEPG – (European Educational Publishers Group), Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim.
“Dukagjini” jo vetëm që është shtëpia botuese e vetme nga Kosova që ka arritur të anëtarësohet, por, njëherësh, është edhe botuesja e vetme e teksteve në gjuhën shqipe në këtë rrjet.
Qëllimi i EEPG-ut, anëtare të të cilit janë shtëpitë botuese kryesore në arsim nga shumica e vendeve evropiane, është që ta vazhdojë më tej zhvillimin e teksteve dhe materialeve cilësore për mësimdhënie në shkolla gjithandej Evropës. Përmes hulumtimeve, monitorimit dhe shkëmbimit të informatave ndërmjet shtëpive botuese, “Dukagjini” do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në përvojat më të mira evropiane. Kjo përvojë do të transmetohet edhe te nxënësit dhe arsimtarët që i përdorin tekstet e “Dukagjinit”.
Shtëpia botuese “Dukagjini” mbetet e përkushtuar që ta avancojë arsimin në Kosovë dhe të ndërtojë bashkëpunime të suksesshme vendore e ndërkombëtare që ta bëjë lehtësisht të mundshëm këtë avancim. / KultPlus.com