4 Janar, 2025 - 10:46 pm
Shtëpia botuese prestigjioze Wiley e ka botuar në gjuhën angleze librin “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” të autorit Fitim Uka, shkruan KultPlus.
Autori Uka përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se libri “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm’ i botuar tashmë në gjuhën angleze është shëndrruar në trashëgimi të shkruar të psikoterapisë globale.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të autorit Uka:
Megjithatë, nganjëherë ëndrrat e takojnë realitetin!
Kur ishte vetëm një ide, askush (përfshirë edhe veten time) nuk besonte se do të rrugëtonte kaq suksesshëm dhe do të arrinte kaq larg. Sot, duket thuajse e pabesueshme të shohësh kopertinën e këtij libri dhe të kuptosh që shtëpia botuese prestigjioze Wiley e ka botuar në gjuhën angleze Psikoterapinë e Kohezionit të Brendshëm. Kritika e konsideron: “një qasje inovative dhe praktike”, “një burim të pazëvendësueshëm”, “një qasje kreative dhe të dobishme” dhe “një revolucion integrativ në psikoterapi”… dhe unë jam pa fjalë!
Kohezioni i Brendshëm ka folur fillimisht shqip, ndërkaq sot, ideja që ka për afiliacion Universitetin e Prishtinës, do të jetë pjesë e bibliotekave universitare në mbarë botën. Nga viti 2022 konceptualizimi ynë është prezantuar në ligjërata të ftuara, konferenca dhe simpoziume, ndërsa nga sot është edhe trashëgimi e shkruar e psikoterapisë globale.
Më duhet ta pranoj që sot jam më i lumtur se kurrë, krenar si asnjëherë më parë, por gjithashtu i përulur dhe thellësisht falënderues ndaj secilit që ka dhënë kontribut për këtë libër.
Në shkurt na pret një superpromovim i këtij botimi!
P.S. Siç thonë zakonisht: ky është vetëm fillimi dhe s’keni parë gjë akoma!/ KultPlus.com