Shtëpia me libra u ndihmon fëmijëve të lulëzojnë

8 Korrik, 2019 - 4:00 pm

Një fëmijë që rritet në një shtëpi me të pakten 80 libra do të jetë më i mirë me shkronja e numra kur të rritet. Një bibliotekë në shtëpi rrit shkathtësitë e fëmijës në lexim e matematikë më shumë se një bibliotekë shkolle. Të rritesh në një shtëpi ku çmohet dituria, çon në kërkim të diturisë gjatë gjithë jetës.

Mesatarja e numrit të librave në një shtëpi në SHBA është 114, sipas një studimi të quajtur “Kultura e dijes: si librat në fëmijëri i rrisin shkathtësitë për shkronja e numra dhe teknologji.” 114 është numër i mirë. Autorët e studimit kanë studiuar 160.000 të rritur mes viteve 2011-2015 dhe kanë gjetur se të pasurit 80 ose më shumë libra në shtëpi rezulton me nivele dukshëm më të larta të dijes në gjuhë, matematikë dhe teknologji. Studimi ka gjetur se “të rritesh në një shtëpi me bibliotekë t’i rritë shkathtësitë në këto fusha përtej përfitimeve nga edukimi prindëror ose shkollimi.”

Fëmijët e rritur në shtëpi të këtilla e që kanë kryer veç shkollë të mesme, kanë rezultuar po aq të aftë në këto fusha sa ata që kanë kryer fakultet e që janë rritur në shtëpi me shumë pak libra.

Pse të jetosh në një shtëpi me bibliotekë të ndihmon?

Studimi sugjeron se këtu ka dy faktorë. Së pari është ndikimi i rritjes në një mjedis shoqëror të dijes dhe të mësuarit, pasi “ekspozimi i adoleshentëve ndaj librave është një pjesë integrale e praktikave shoqërore që nxisin kompetencat afatgjata njohëse”. Së dyti, leximi shpesh ndihmon individët të zhvillojnë aftësitë e lidhura me të, dhe, siç thotë studimi, “Ekspozimi i hershëm ndaj librave në shtëpitë e prindërve është i rëndësishëm sepse librat janë pjesë integrale e rutinave dhe praktikave që rrisin kompetencat njohëse gjatë gjithë jetës”. Për më tepër, “Këto kompetenca lehtësojnë arritjen arsimore dhe profesionale, por ato gjithashtu hedhin themelet për aktivitete rutinë gjatë gjithë jetës që rrisin aftësitë për shkrim-leximin dhe matematikë”.

Konkluzionet e studimit duhet të jenë inkurajuese për familjet në mbarë botën që nuk janë në gjendje të ofrojnë arsim të lartë për fëmijët e tyre. Duke pasur libra në shtëpi mund t’u ndihmojë fëmijëve në aftësitë e leximit dhe të matematikës edhe pa shpenzimet për kohën në klasë.

Për ata që mund të dërgojnë fëmijët e tyre në universitet, studimi sugjeron që rritja e një fëmije në një atmosferë librash mund të jetë një parakusht për të përfituar më shumë nga arsimi i lartë dhe, sigurisht, i siguron fëmijës një shans edhe më të madh suksesi në jetë.

Burimi: weforum.org

Të ngjajshme